Dy persona janë vënë në prangat e policisë në lidhje me automjetin e zbuluar një ditë më parë në Elbasan që dyshohet se do të përdorej në një atentat mafioz.
Të arrestuarit janë Arben Spahiu, kunati i Erion Alibejt dhe Arsen Preçi. Panorama TV mëson se brenda në çantën hedhur në kosh pranë automjetit të braktisur, policia ka gjetur mjete identifikuese me emrin e Arben Spahiut.
Bëhet fjalë për dy mjete identifikimi, konkretisht një kartë identiteti dhe një pasaportë e falsifikuar greke në emër të Spahiut.
Ditën e djeshme policia njoftoi se kishin marrë informacion se në orët e vona të së shtunës mund të ndodhte një ngjarje kriminale. Gjatë kontrolleve të kryera në terren është gjetur automjeti brenda të cilit ishin fshehur 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë).
Në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.