MENU
klinika

Analiza

NATO ka nxjerrë një mësim shumë të vlefshëm nga lufta në Ukrainë…

20.02.2023 - 17:40

Nga shumë mësime që po na mëson lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë, ndoshta më i hidhuri është se lufta ndërshtetërore e shekullit të XXI-të do të vazhdojë të shkaktojë humbje shumë të mëdha në ushtarë dhe armatime.

Vlerësimet e viktimave ushtarake kaluan së fundmi rreth 100.000 ushtarë të vrarë dhe të plagosur për Ukrainën dhe deri në 180.000 për Rusinë, së bashku me mijëra tanke, avionë dhe sisteme të tjera të mëdha armësh të shkatërruara.

Si për t’i përkeqësuar gjërat, si për rusët po ashtu dhe ukrainasit, këto humbje kanë prekur në mënyrë disproporcionale njësitë elitare dhe pajisjet e tyre më moderne. Rrjedhimisht, aftësia e një vendi për të rindërtuar me shpejtësi një forcë ushtarake që pëson humbje të tilla, do të jetë një faktor kyç në përballimin e çdo lloj lufte të tillë në këtë shekull.

Gjithsesi, këto 2 vende jo vetëm që kanë mundur të zëvendësojnë humbjet e tyre të tmerrshme, por madje i kanë zgjeruar forcat e tyre në terren. Për shembull, Ukraina e filloi luftën me 33 brigada manovrimi dhe që atëherë ka shtuar rreth 9 brigada shtesë. Ndërkaq, Rusia ka të ngjarë të dyfishojë numrin e ushtarëve të dislokuar në luftë brenda 6 muajsh që nga shpallja e mobilizimit shtatorin e vitit të kaluar, edhe nëse do të bjerë cilësia e përgjithshme e ushtrisë ruse.

Ajo që u dha pjesërisht mundësi të dyja palëve të rigjenerojnë forcat kaq shpejt, është se ato mund të thërrasin nën armë një grup të madh rezervistësh të krijuar nga një sistem i shërbimit të detyrueshëm ushtarak që ekziston ende në të dyja vendet.

Sipas të dhënave nga “Military Balance+”, Ukraina ka afërsisht 900.000 rezervistë të disponueshëm me përvojë ushtarake aktive brenda 5 viteve të fundit, ndërsa Rusia mund të mbështetet tek një rezervë prej 2 milionë trupash. Por rezervistët rusë, janë kryesisht joaktivë. Pra në përgjithësi ata nuk marrin pjesë në asnjë trajnim pas shërbimit të tyre aktiv.

Një pjesë e rezervistëve ukrainas u thirrën për stërvitje përpara fillimit të luftës, por shumica dërrmuese e rezervave kanë qenë gjithashtu joaktive, dhe cilësia e tyre e përgjithshme është e përzier. Gjithsesi, disa nga këta rezervistë kishin shumë përvojë si ushtarë, përfshirë angazhimin në luftën që është zhvilluar në Ukrainën Lindore nga viti 2014.

PABRADE, LITHUANIA – OCTOBER 27: A Leopard 2A6 main battle tank of the Bundeswehr, the German armed forces, participates in the NATO Iron Wolf military exercises on October 27, 2022 in Pabrade, Lithuania. Germany leads a NATO contingent of troops in Lithuania under the Enhanced Forward Presence (eFP) battle group, with troops also from Belgium, the Czech Republic, the Netherlands, Luxembourg and Norway. (Photo by Sean Gallup/Getty Images)

Pa rekrutimin masiv dhe strukturat e tij mbështetëse, forcat tokësore të të dyja palëve do të vuanin nga një rënie e madhe e kapaciteteve ushtarake në fazën aktuale të kësaj lufte brutale. Prandaj, nuk është befasuese që lufta në Ukrainë ka rindezur një debat në pjesën më të madhe të Europës rreth shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të cilin shumica e vendeve të NATO-s e pezulluan brenda 2 dekadash pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Midis 30 vendeve anëtare europiane të NATO-s, vetëm Danimarka, Estonia dhe Greqia kërkojnë aktualisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Por Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u shpreh kohët e fundit se “pezullimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak ishte një gabim”. Politikanë të tjerë gjermanë kanë qenë në të njëjtën linjë.

Ministria holandeze e Mbrojtjes po studion rifutjen e mundshme të një sistemi tillë të rekrutimit. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak, ishte një çështje që u trajtua edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në Italisë në shtatorin e vitit të kaluar. Ndërsa Polonia debatoi dhe në fund hodhi poshtë thirrjet për të rifutur shërbimin e detyrueshëm, kjo praktikë rifilloi në Letoni në janar të këtij viti, për herë të parë që nga vitit 2007 kur dhe u pezullua.

Nga ana tjetër Danimarka, planifikon të zgjerojë shërbimin e saj të detyrueshëm ushtarak ekzistues për burrat, duke përfshirë edhe gratë. Ajo që e nxit pjesërisht këtë debat nuk janë vetëm vështirësitë në përmbushjen e objektivave të rekrutimit, por edhe vetëdija se edhe fuqitë më të mëdha ushtarake në NATO, si Gjermania apo Polonia, do të hasnin jo pak vështirësi në përballimin e një shkalle viktimash të ngjashme me atë që pësoi Ukraina në javët e para të pushtimit rus, dhe po të kishin ende një forcë luftarake efektive.

Por rivendosja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, mund të mos jetë përgjigjja më e mirë praktike për shumicën e shteteve të NATO-s për të rritur fuqinë e ushtrive të tyre. Së pari, ajo duhet të kapërcejë kundërshtimin e fortë publik në pjesën më të madhe të Europës, dhe do të ishte shumë sfiduese në aspektin financiar.

Së dyti, rifutja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të kërkonte kohë, pasi kërkon një rishikim të madh organizativ të strukturës aktuale të forcave europiane për të akomoduar rekrutët. Kjo përfshin një kuadër të instruktorëve të rinj; ndërtimin e kazermave të reja etj.

Së treti, është e paqartë nëse plotësimi i radhëve të ushtrive në nivele maksimale do të prodhonte forcën që i nevojitet NATO-s për sa i përket efektivitetit ushtarak dhe fuqisë luftarake në Europë. Një zgjerim i kapacitetit ushtarak përmes rritjes së madhësisë së forcës mund të lërë pak hapësirë për zhvillimin e aftësive siç janë teknologjitë e reja dhe sistemet e armëve, dhe kjo mund të minojë gatishmërinë e forcës ushtarake.

Rrjedhimisht, në vend se të rikthehemi pas te shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe të humbim kohë dhe burime të çmuara në ristrukturimin dhe riorganizimin e forcave europiane të NATO-s, duhet të shqyrtohen mënyra të tjera për të ndihmuar në rritjen e aftësisë së Europës për të rigjeneruar fuqinë luftarake gjatë një konflikti me intensitet të lartë.

Aspekti i parë në këtë drejtim janë komponentët rezervë të forcave evropiane të NATO-s. Çdo ushtri evropiane ka një rezervë të projektuar për t’u përdorur në rastet urgjente të sigurisë kombëtare, përfshirë skenarin kur ekziston rreziku i një konflikti të afërt ushtarak, për të plotësuar trupat në detyrë aktive.

Në një forcë rekrutimi, rezerva luan një rol vendimtar. Vetëm kur thërrasin rezervistët, njësitë arrijnë fuqinë e tyre të plotë luftarake. Për shembull, ushtria finlandeze me bazë rekrutimi ka vetëm një forcë aktive prej 19.250 personash, prej të cilëve vetëm një bërthamë e vogël janë ushtarë profesionistë.

Por ajo mund të angazhojë në një kohë rekord një rezervë prej 238.000 njerëzish. Çdo vit, dy cikle rekrutimi me 9000 rekrutë secili e ruajnë këtë forcë mobilizimi për rast lufte. Avantazhi i një strukture force të ndërtuar rreth rekrutëve është se mundëson një rrjedhë të qëndrueshme zëvendësimesh.

Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Military Balance+, Franca ka një forcë aktive prej pak më shumë se 200.000 ushtarësh, plus një rezervë prej 41.000 vetësh. Gjermania ka 183.000 trupa dhe një forcë rezervë prej pak më shumë se 30.000 njerëz. Ndërsa Italia ka një forcë aktive prej rreth 161.000 trupash dhe një forcë rezervë të vogël prej 17.900 njerëzish.

Midis fuqive më të mëdha ushtarake europiane, vetëm Britania ka një komponent të konsiderueshëm rezervë në krahasim me forcën e saj aktive, me rreth 153.000 profesionistë dhe një rezervë prej 75.000 trupash. Për këtë arsye madhësia e forcave rezervë në të gjithë ushtritë europiane të NATO-s do të duhet t’i nënshtrohet riorganizimit strukturor për të qenë në gjendje të rritet në madhësi.

Trupave në detyrë aktive mund t’u kërkohet të shërbejnë në rezerva për disa vjet pasi të kenë përfunduar kontratat e tyre. Së dyti, duhet të shtohet shkalla, shtrirja, shpeshtësia dhe kohëzgjatja e stërvitjeve ushtarake. Së fundmi, teknologjia do të bëhet një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e zgjidhjes gjatë viteve dhe dekadave të ardhshme.