Këngëtarja shqiptare, Ronela Hajati dëshiron të prekë sërish skenën e Eurovizion, por këtë radhë jo për Shqipërinë. Aktualisht, Ronela po konkurron në festivalin ‘Una Voce per San Marino’, i cili përzgjedh këngën për të përfaqësuar San Marinon në ‘Eurovision 2023’.
‘Iconstyle’ mëson se Ronela do ngjitet në skenë në 23 Shkurt për të kënduar. Siç shihet nga lista, artistja është e vetmja nga Shqipëria ndërsa vihet re se shumica janë nga Italia.
Ashtu sikurse Ronela, në San Marino ka edhe pjesëmarrës që kanë provuar një herë skenën e Eurovizion për vendet e tyre të lindjes. Bëhet fjalë për: Ciro de Luca nga Rumania, Alfie Arcuri nga Australia, Nicole Hammett nga Malta, Erna Hrönn nga Islanda dhe Jenny May nga Letonia.
Ronela përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion 2022, me këngën “Sekret”. Ajo pati një performancë elektrizuese, duke dhuruar shumë emocione, ndonëse nuk u kualifikua për në finale.