Janë paraqitur sot në Gjykatë për masën e sigurisë Arbën Spahiu dhe Arsen Preçi, të dyshuar si posedues të mjetit me armë që u gjet i fshehur në një magazinë mëngjesin e së dielës.
Ata akuzohen për armëmbajtje pa leje, prodhim të armëve dhe municioneve, falsifikim dokumentesh dhe krijim të kushteve dhe rrethanave për të kryer vrasje.
Është ende e paqartë shënjestra, por burime zyrtare të prokurorisë së Elbasanit bëjnë me dije, se duke u nisur nga sasia e madhe e municionit dhe armëve kemi të bëjmë me një ngjarje me me përmasa të mëdha.
Pasi mori informacion se në qytet po përgatitej një atentat policia shtoi praninë në qytet ndërsa kreu kontrolle edhe në disa persona të dyshuar. Kjo bëri që dy persona e arrestuar tashmë, të braktisnin mjetin në një magazinë të braktisur në lagjen “Emin Matraxhiu”.
Pasi identifikoi mjetin, policia ushtroi kontroll në perimetrin e tij ku në një kontejner gjeti një çantë brenda së cilës ishin çelësat e BMW-së, maskë, doreza, pistoleta dhe dokumente me emër të falsifikuar grek, por me fotografinë e njërit prej personave të arrestuar tashmë.
53-vjeçari Arben Spahiu ka lidhje familjare me Erion Alibejn, i arrestuar dy vite më parë si porositësi i vrasjes së Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit.
Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibejt i cili mbeti i vrarë në një atentat mafioz në dhjetor të vitit 2018 në Bradashesh të Elbasanit ku gjithashtu mbetën të vrarë kushëriri i tij edhe një shtetas turk.
Policia thotë se nuk ka ende prova zyrtare se ngjarja e së shtunës ka lidhje me pararendëset ndërkohë për hetimin e thelluar të këtij rasti është duke punuar një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët më të mirë të hetimit të krimit të DVP Elbasan, specialistët e Drejtorisë për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.