MENU
klinika

Historia e trishtë e 14 vjeçarit

Kush ishte 14-vjeçari që u ekzekutua nga policia greke me plumb në kokë

08.12.2018 - 21:28

Një histori e cila nuk është prekur kurrë nga mediat shqiptare ka qenë edhe vrasja nga policia Greke e vitit 1997-të 14-vjeçarit nga Elbasani, Erion Qosja.

Si ndodhi ngjarja? Përse polici i cili vrau të riun nga Elbasani doli i pafajshëm dhe ndërroi emrin duke u arratisur një herë e përgjithmonë në Rusi?
Përse familjarët e Erionit nuk u njoftuan kurrë për vdekjen e tij? Çfarë gjyqi u bë në Greqi asokohe? A gënjyen efektivët grek të policisë në dëshmitë e tyre? Çfarë tregoi raporti mjeko-ligjor?

Këto janë pyetje që familja Qosja nga Elbasani i bën gjithmonë sot e kësaj dite. Një plagë e cila nuk u mbyll kurrë. Babai i Erionit me të marrë vesh lajmin e rëndë, nxorri pasaportën për tu nisur në Greqi, por familjarë të tij u kujdesën për trupin e viktimës edhe pse endej lart e poshtë për plot 45-ditë nëpër morgje, sepse ishte shënuar si një viktimë e paindentifikuar.

Çfarë ndodhi natën e vrasjes së Erion Qoses? (Ngjarja e treguar nga vëllai i viktimës dhe një prej të plagosurve, dëshmitar në vendngjarje)
Ishte një ditë e zymtë ku Erioni do të merrte fatin e tij në dorë bashkë me moshatarët e tij. Do të kalonin në mënyrë ilegale kufirin e Greqisë. Ai së bashku me katër persona të tjerë (emrat e tyre do të publikohen në artikullin tjetër për arsye sigurie dhe privatësie), kaluan kufirin tokësor ilegalisht. Asokohe ishte edhe tensioni i shpërthimit të viti ‘97 ku shteti shqiptar kishte dalë nga kontrolli.
Erioni dhe moshatarët e tij gjejnë kontakt tek një shofer në Elbasan i cili merrej me transportin e personave si Erioni për t’i dërguar në Greqi në mënyrë ilegale. Çdo gjë dukej e qetë… deri sa, para makinës së tyre shfaqet një makinë tip Xhip policie i cili do të rezultonte fatale.

Policia greke kishte informacion se këta persona ishin të armatosur, por në të vërtet arma e tyre ishte vetëm një trastë e mbushur me bukë thatë.
Postoblloku i policisë nuk funksionoi, pasi shoferi i automjetit e kaloi duke u përplasur me të. Me të kaluar postobllokun, policia greke mori masat për të qëllur makinën tip xhip me armë. Edhe ashtu ndodhi…

Efektivët e policisë greke qëlluan në mënyrë brutale, me breshëri, pa mëshirë deri sa një prej plumbave zë Erion Qosen në kokë, (afër veshit). Në mes të atij tensioni, Erioni teksa ishte i mbuluar në gjak, të katër personat që gjendeshin në automjet largohen nga syte këmbët për tu fshehur nga frika e një ekzekutimi të mundshëm.
Ata u larguan në një pozicion që nuk dukeshin, por në rrezen e syve të tyre dukej qartazi makina, dhe brënda saj 14-vjecari Erion Qosja. Teksa ai jepte shpirt, siç duket efektivët grek nuk e kishin herën e parë që varrosnin persona për së gjalli. E nxjerrin Erionin nga makina dhe e fundosin në një kanal me ujë. Por, të alarmuar, forca të tjera të policisë u shtuan për kapjen e 4 persona të tjerë. Të shokuar dhe të plagosur ata u dorëzuan, vetëm shoferi i automjetit nuk ra në dorë të tyre, ai u largua dhe sot e kësaj ditë ai kurrë nuk është gjendur apo përmendur nga arkiva e policisë greke.

Çfarë do të ndodhte me Erionin dhe 3 shokët e tij?

Erioni kishte ndërruar jetë, e ndërsa për shokët e tij do të jepej dënimi. Ajo që tregon një prej personave që ndodhej atë ditë me Erionin, i cili sot jeton në Greqi, thotë se gjyqi i tyre është bërë në një sallë derrash.Pas gjyqit të përbërë vetëm nga ushtarë dhe policë grekë ata u shoqëruan në Shqipëri.

Vrasja e Erionit bëri bujë asokohe në Greqi. Persona të ndjeshëm dhe media të ndryshme shkruajtën për këtë çështje me tituj: Policia ekzekuton 14-vjeçarin shqiptar. Efektivi i policisë vret me plumb në kokë të riun shqiptar etj… Jo vetëm kaq, protesta në qytete të Greqisë po merrte vëmendje dhe polici i cili qëlloi në kokë Erionin u zbulua. Ai quhet Miltiadhis Andreoupolos, apo në greqisht μιλτιαδησ ανδρεοπουλος.

Por përse shteti grek nuk reagoi? Çfarë organizuan ata për të dalë nga situata?

Të gjithë u njohën me të, vrasësin e pamëshirëm që vrau dhe plagosi 5 persona. Gjatë dëshmisë së tij Miltiadhis Andreoupoloi tha se kishte marrë informacion se ata ishin të dyshuar, kishin drogë dhe armë. Si i tillë ai organizoi një operacion i cili nuk shkoi siç pritej sepse në të nuk kishte as drogë e as armë, por vetëm ushqim për rrugën e cila pritej të ishte e gjatë, edhe pse për Erionin ishte fatale.

Ai shtoi më tej se në një distancë të madhe qëlloi në shenjë paralajmërimi për të ndalur automjetin, dhe sipas tij një prej plumbave ka bërë rikoshet duke e zënë në kokë të riun.

Por a do të ishte dakort raporti mjeko-ligjor me këtë dëshmi?

Sigurisht që Erioni iu nënshtrua një kontrolli fizik për të kuptuar më mirë vdekjen e tij. Në raport doli se ai ishte qëlluar në një distancë farë të shkurtër. I frikësuar dhe i alarmuar gjyqi për dënimin i tij u bë në një kohë farë të shkurtër, nga ku u shpall edhe i pafajshëm. Menjëherë pas pafajësisë ai largohet për në Rusi, së bashku me familjen duke ndërruar edhe emrin e tij.

Fill pas gjitha këtyre ngjarjeve, trupi i Erionit mbeti në morg pasi askush nuk u interesua për të, përveç kushërinjve të tij. Nga ana tjetër familja e tij që asokohe jetonte dhe jeton ende në Elbasan me dhimbje të madhe në shpirt priste trupin e të birit të tyre dhe në atë kohe krize siç ishte viti 1997, në Shqipëri gjerat për ta ishin akoma më të vështira.

Kushërinjtë e tij, njëri që kishte edhe lidhje të ngushta me Erionin e mori trupin e tij me ndihmën e qeverisë greke dhe e solli në Elbasan. Ndërkohë, ambasadorët, ministrat e Brendshëm apo të Jashtëm, apo edhe vetë kryeministri i Shqipërisë i asaj kohe nuk reaguan, por heshtën.

Sot pas vdekjes së ekstremistit grek Kostantinos Kaçifas nga RENEA në Bulerat të Gjirokastrës një shtet i gjithi u ngrit në këmbë. Madje edhe pse ka një muaj pas vrasjes mamaja e këtij ekstremisti ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama se do ta vriste me duart e saj. Por vetvetiu lind pyetja, vallë për hakun dhe gjakun e Erion Qosjes dhe të shumë të tjerëve si ai, i cili u vra në mënyrë barbare kush duhet të marrë përgjegjësi?

Këto janë tema që ndonëse në pamje të parë të harruara, për familjarët janë një plagë e hapur, të cilët kërkojnë llogari për djalin e tyre. Institucionet përkatëse duhen t’í japin një përgjigje kësaj familje se cfarë ka ndodhur me vrasësin e fëmijës së tyre.

 

E pra, ky shkrim është për tu njohur pak me ngjarjen që kurrë nuk është përmendur, se çfarë ndodhur me këta persona, së shpejti do të jetë dhe me video për tu pasqyruar me fakte dhe të pathëna rreth vrasjes së Erion Qosjes.

Nuk ngelet gjë tjetër, veçse për të bashkuar copëzat bashkë e për të zbardhur njëherë e mirë këtë realitet të hidhur. Deri atëherë nuk na mbetet gjë tjetër përveçse ta shpërndajmë këtë shkrim e për të kuptuar se sa e sa shqiptarë janë vrarë e janë varrosur për së gjalli në territorin grek ndër vite.

I paharruar qoftë kujtimi yt Erion!

Nga Daniel Muçaku