MENU
klinika

Përfitojnë dhe punonjësit e tjerë të institucioneve arsimore

Rimbursohet transporti për mësuesit që punojnë në larg vendbanimit

02.03.2023 - 16:38

Zgjidhet ngërçi i transportit për arsimtarët që punojnë në shkollat larg vendbanimit të tyre. Këshilli i Ministrave ka kaluar gjatë mbledhjes së djeshme, vendimin ku konfirmon rimbursimin e transportit për të gjithë mësuesit që detyrohen të bëjnë mbi 5 kilometra nga vendbanimi i tyre, deri në shkollën ku janë të punësuar për të dhënë mësim. Në ndryshim nga sa ka ndodhur deri më tani, rimbursimin e transportit do ta përfitojnë edhe mësuesit që vendbanimin e kanë jashtë Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar që përfshin shkollën në të cilën janë të punësuar. Krahas mësuesve, rimbursimi për transportin do të shkojë edhe për punonjësit e tjerë të institucioneve arsimore, siç janë: psikologët, punonjësit psiko-social, si dhe oficerët e sigurisë në shkolla.

Transporti për arsimtarët
“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave i kemi dhënë zgjidhje përfundimtare problemit të transportit për të gjithë punonjësit arsimorë që punojnë larg vendbanimit të tyre. Konkretisht vendimi garanton përfitimet për të gjithë mësuesit, punonjësit psiko-social dhe oficerët e sigurisë që punojnë jashtë qendrave urbane në largësinë 5 -50 km, edhe në rastet kur kanë vendbanimin jashtë Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar ku ndodhet qendra e punës”, ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Transporti për nxënësit
Në skemën e rimbursimit të transportit do të përfshihen edhe të gjithë nxënësit që ndjekin mësimin në shkolla larg vendbanimit të tyre. Konkretisht, bëhet fjalë jo vetëm për nxënësit e arsimit bazë dhe shkollave të mesme, por edhe të fëmijëve që frekuentojnë kopshtet publike.

Për ciklin e arsimit bazë, autoritetet e arsimit konfirmojnë se do të vijojnë të përfitojnë rimbursimin e transportit, të gjithë nxënësit që ndjekin procesin mësimor në shkollat publike të arsimit parauniversitar të ciklit bazë, si dhe ata që ndjekin kopshtet publike, që udhëtojnë mbi 2 km. Rimbursimi për transportin mbi këtë distancë do të përfitohet edhe nga nxënësit që jetojnë në qendra rezidenciale, grupet e nxënësve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, nxënësve të arsimit parauniversitar me aftësi të kufizuara, ata që gëzojnë statusin ligjor të invalidit, që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë, invalidit paraplegjik dhe invalidit tetraplegjik.

Për rastet kur nxënësit ndjekin arsimin e mesëm, rimbursimi i transportit do të përfitohet për distanca mbi 5 kilometër. “Nxënësit që ndjekin procesin mësimor në strukturat arsimore publike, të arsimit të mesëm të lartë dhe të arsimit profesional, godinat e të cilave kanë dalë jashtë funksionit apo janë në rikonstruksion/rindërtim, dhe që udhëtojnë mbi 5 km, larg vendbanimit të përhershëm, gjithashtu do të përfitojnë rimbursimin e transportit”, sqaron më tej ministrja e arsimit rreth kategorive përfituese në radhët e nxënësve të shkollave të mesme.

Zhvillimi i arsimit parauniversitar
Edukimi në arsimin parauniversitar, zhvillohet në arsimin parashkollor, arsimin e detyruar 9pvjeccar, si dhe në arsimin e mesëm. Kopshtet janë institucione në vartësi të MAS dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës (3 – 6) vjeç. Arsimi parashkollor nuk është i detyruar. Ka dy lloje kopshtesh, kopshte gjithëditore dhe kopshte gjysmëditore. Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit. Procesi mësimor edukativ në arsimin parashkollor zhvillohet mbi bazën e programeve edukative të miratuara nga MAS. Misioni i kopshtit është, që në bashkëpunim me prindërit, të realizojë edukimin dhe zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe t’i parapërgatit ata për në shkollë. Në kopshtet që ndodhen në zonat e banuara nga minoritetet, procesi edukativ dhe mësimor zhvillohet në gjuhën amtare.

Ndërsa arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX). Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.

Arsimi i mesëm në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar) si dhe nga shkollat e mesme profesionale. Gjimnazet publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore. Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje. Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve. Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore (MSH). Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.

Punonjësit e arsimit parauniversitar:
Edukatorë në arsimin parashkollor mund të jetë një person i cili është diplomuar në shkollat e larta publike ose private të akredituar të mësuesisë.
Mësues në arsimin bazë dhe në gjimnaz mund të jetë një person i cili është diplomuar në shkollat e larta publike ose private të akredituar të mësuesisë.
Mësues i arteve mund të jetë një person i cili është diplomuar në Akademinë e Arteve. Mësuesi i edukimit fizik mund të jetë një person i cili është diplomuar në Akademinë e Sporteve.
Mësues i nxënësve me nevoja të veçanta mund të jetë një person i cili është diplomuar në një shkollë të lartë të mësuesisë dhe ka kryer kurse specializimi në këtë fushë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ministrja Besa Shahini i përgjigjet mësuesve

“Pse nuk marrim bonus si infermierët dhe mjekët?”

Specialistët e IT-së ngjiten në vend të tretë

Cilat profesione paguhen më shumë?

Nga AlJazeera/ 'Një lojë' me humbës dhe fitues

Çmimi i naftës u rrit, pse nuk po gëzojnë të gjithë?