MENU
klinika

BB tregon zgjidhjen

“Shqipëria e rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore”

03.03.2023 - 15:50

Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore, të cilat kohët e fundit kanë qenë të njëpasnjëshme. Banka Botërore evideon si rreziqet kryesore tërmetet, përmbytjet dhe thatësirën.

Emanuel Salinas, përfaqësues i BB në Shqipëri: Shqipëria është e ekspozuar shumë ndaj goditjeve të njëpasnjëshme në vitet e fundit. Gjithashtu dimë që Shqipëria është e ekspozuar ndaj tërmeteve, përmbytjeve, thatësirave dhe ndaj shume goditjeve të tjera që aktualisht nuk i kishim parashikuar.

Emanuel Salinas, përfaqësuesi i Bankës Botërore në vendin tonë, thotë në një intervistë për Televizionin Klan se Shqipëria duhet të diferencojë nivelin e riskut, veçanërisht përsa u përket tërmeteve.

“Kemi atë lloj risku që paraqesin ato fatkeqësi natyrore që ndodhin njëherë në disa vite, si për shembull tërmetet dhe gjërat që duhet të bëjmë janë të shqyrtojmë integritetin strukturor të ndërtesave ekzistuese për të identifikuar ato ndërtesa që janë në rrezik në mënyrë që t’i përforcojmë siç duhet.”

Me ndihmën edhe të Bankës Botërore, autoritetet në Shqipëri kanë miratuar ligjin për mbrojtjen civile dhe strategjinë kombëtare të riskut. Salinas thotë se tani strategjia duhet zbatuar në terren, kryesisht nga pushteti vendor.

“Strategjitë nëse nuk zbatohen nuk sjellin dobi. Pra ajo që duhet të bëjmë të gjithë së bashku është që të fillojmë zbatimin e strategjisë dhe siç edhe në këtë çështje, bashkitë kanë nje rol kyç.“

Banka Botërore rekomandon që të kryhen investime për të shmangur përmbytjet, për të siguruar digat e mëdha dhe të vogla që mbrojnë nga përmbytjet dhe për të përfocuar rrugët dhe urat që rrezikohen nga vërshimet e ujërave në kohë reshjesh.