Eksperti rrugor, Mamir Hodo ka shpjeguar në studion e Panorama TV, trajektoren e mjetit tip Audi A8, i cili u aksidentua në rrethrrotullimin e Saukut.
Hodo tregoi se drejtuesi i mjetit Klevis Ruçaj po ecte me një shpejtësi tej normave të lejuara rreth 200-210 km/h në momentin e përplasjes me barrierën metalik.
Pas përplasjes me barrierën mbrojtëse, mjeti ka “fluturuar” për rreth 31 metra dhe ka goditur murin e nënkalimit si edhe një makinë tjetër ku udhëtonin 3 persona.
Ai u shpreh se 20-vjeçari nuk ka marrë asnjë lloj mase duke parë rrezikun që po i kanosej, pasi s’ka asnjë gjurmë frenimi nga ana e tij.
“Mjeti tip Audi A8 ka qarkulluar me shpejtësi tej normave të lejuara. Mendohet, sipas përllogaritjeve, se shpejtësia e tij ka qenë 200-210 km/h në momentin e përplasjes me barrierën metalik.
Pas përplasjes ka fluturuar rreth 31 metra dhe është përplasur me murin e nënkalimit. Aty ka goditur një mjet tip Hyundai duke plagosur edhe drejtuesin e mjetit dhe 2 pasagjerët në këtë makinë.
Me këtë shpejtësi që po udhëtonte mjeti dhe me këtë barrierë metalike të vendosur, mjeti do e kalonte siç edhe ndodhi.
Ai drejtues mjeti nuk ka marrë asnjë lloj mase duke parë rrezikun që po i kanosej. Nuk ka asnjë gjurmë frenimi, vetëm goditjen e barrierës mbrojtëse dhe më pas ngjarja e rëndë”, tha Mamir Hodo.