MENU
klinika

Nga Igli Tola

Falimentimi i Silicon Valley Bank

14.03.2023 - 19:15

PhD (c). Ll.M. Igli Tola

Tregjet amerikane, dhe jo vetëm u goditën nga një prej ngjarjeve më të kobshme javën e shkuar: falimentimin e Silicon Valley Bank, ndër falimentet më të mëdha post-Pandemi, që shumë investitorëve u kujton si remishencë, Krizën e 2007-2008. Që prej së premtes, tregjet bursiere dhe në tërësi institucionet financiare janë në një gjëndje alarmi.

U deshën vetëm 48 orë midis kohës kur u evidentua situata me borxhet e asetet dhe falimentit të SVB. Vetem 48 orë, dhe banka e 16-të më e madhe amerikane me një vlerë mbi 209 miliardë dollarë falimentontoi.

. . .

Problemet e SVB-së rrjedhnin nga vendimet dhe planet e saj të mëparshme të investimeve. Pandemia e Covid-19 në fillim të vitit 2020 i la shpejt vendin një periudhe të artë për startup-et dhe kompanitë e teknologjisë, pasi konsumatorët filluan të shpenzonin shumë për pajisje dhe shërbime dixhitale; si pasojë e lockdoën, punës nga shtëpia etj. E duke u njohur si banka e ‘luginës së start-up’, shumë nga këto kompanitë më të mëdha teknologjike përdornin SVB për të mbajtur llogaritë, xhiruar pagesat ndaj stafit e të tretëve, duke çuar në një ‘boom’ (fluks) depozitash.

Gjeneza e dështimit së saj nisi kur ajo investoi shumë në obligacionet afat-gjata të qeverisë amerikane, kryesisht ato të mbështetura nga hipotekat. Por, drejtuesit e shum mirë paguar të SVB-së, të joshur nga fitimet e majme harruan një prej parimeve bazë të financave: lidhjes së zhdrejtë çmim-normë interesi te obligacionet. Pra me pak fjalë, kur normat rriten, çmimet e bonove bien.

Muajt e fundit, si masë për të luftuar inflacionin në ShBA, Rezerva Federale filloi të rrisë me shpejtësi normat, kështu edhe portofoli i obligacioneve të investuara nga SVB filloi të humbiste vlerë të konsiderueshme. Së paku, nëse SVB do të ishte në gjendje ti mbante ato obligacione për disa vite deri në maturim, atëherë minimalisht do të arkëtonte kapitalin e saj. Por, ndërsa kushtet ekonomike u përkeqësuan gjatë vitit të kaluar: me një rënie sinifikative të konsumit, me kompanitë e ‘high-tech’ të prekura veçanërisht shumë; shumë nga klientët e bankës filluan të kishin nevojë të përdornin depozitat e tyre.

SVB e ndodhur para një kërkesë të tillë për tërheqje kapitali, e nga frika e mos-zgjerimit të mëtejshëm të rradhëve të ‘Panikut Bankar’ nisi të shiste volume nga obligacionet e saj me humbje të mëdha. Kështu, duke i frikësuar akoma më tepër investitorët dhe klientët për munega kapitali dhe se paratë (depozitat) e tyre ishin eventualisht të rrezikuara. Pikat mbi ‘i’ u vendosën më 8 mars, kur banka njoftoi një rritje të kapitalit prej 1.75 miliardë dollarësh, duke u justifikuar me faktin se duhej të mbyllte një vrimë të shkaktuar nga shitja e portofolit të saj të obligacioneve me humbje.

. . .

Shqetësimet e menjëhershme të përhapjes së këtij paniku janë përhapur kudo. Qeveritë dhe rregullatorët në mbarë botën: nga BE, në Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi, po kontrollojnë për ekspozimin e SVB në korporatat dhe bankat e tyre. Dyshimet shkojnë akoma më tej,  nëse cenueshmëria e SVB ndaj rritjes së normave të interesit, mund të shfaqet paralelisht edhe në shumë banka të tjera nëpërmjet një ekspozimi të tepërt ndaj çmimeve në rënie të obligacioneve.

Vetëm si pasojë e efektit psikologjik që në ditën e parë: për shembull në Paris, Société Générale humbi 4.49 %, BNP Paribas 3.82 % dhe Crédit Agricole 2.48 %. Në vendet e tjera në kontinentin e vjetër: banka gjermane Deutsche Bank ra 7.35 %, banka britanike Barclays 4.09 % dhe banka zvicerane UBS 4.53 %. Nga ana tjetër, bankat e mesme ose ato të përqendruara në një lloj klientele.

E ndërkohë, situata paraqitet me risk edhe për tregun shqiptarë. Rreziqet ardhur nga rritja e  çmimeve, ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe pasiguria e lartë energjetike. Sfidat janë sa për ekonominë shqiptare dhe për sektorin bankar, si refleksion i asaj që ndodhi me SVB. Rreziqeve të tërthorta që lidhen me rënien e aftësisë paguese të huamarrësve dhe mundësinë e rënies së cilësisë së kredisë, kombinuar me situatën psikologjike të falimenteve mund të godasë edhe bankat tona. Me vëmendje ndaj nivelit të kapitalizimit të veprimtarisë, për të përballuar luhatshmërinë e mundshme në rezultatin financiar, bankat shqiptare dhe rregullatorët duhet të tregohen vigjilente mos të lënë hapësirë për frikë e paqartësi nga ana e klientëve. Se pasojat si në rastin e SVB, do të jenë të renda jo vetem për klientët e bankës së ekspozuar, por gjithë eko-sistemit.