MENU
klinika

"Lija shfaqjet prej sulmeve të panikut"

Albano Bogdo rrëfen problemet me depresionin

16.03.2023 - 11:26

Aktori i njohur Albano Bogdo ka rrëfyer për herë të parë problemet e tij me depresionin. Ai ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në “Opinion”, aty ku u diskutua lidhja që ekziston mes çrregullimeve të shëndetit mendor dhe ndryshimeve ekstreme në ushqyerje, nga e cila ka vuajtur 2 vite më parë aktori. Ai u shpreh se pa ndryshuar dietën, sasinë e ushqimit dhe në mënyrë të pashpjegueshme, humbi shumë kilogramë brenda 3 muajve.

“Unë kam gjithë këto vite që marr ilaçe për depresionin. Para dy vjetësh, pa asnjë lloj arsye, pa e ndryshuar aspak dietën, sasinë. E kam pasur kofshën sa ka dorën zonja. U bëra 69 kilogramë, 1 e 86 i gjatë. Pa asnjë lloj arsye për tre muaj. Analizat dilnin të gjitha shkëlqyer. Haja njësoj, pija njësoj…Dhe pastaj papritur, filloja merrja veten pa asnjë lloj arsye. Pa e shtuar ushqimin, pa ndryshuar asgjë”

Ai u shpreh se ka vuajtur nga ankthi në adoleshencë, por mjekët në Sarandë, atje ku është rritur, nuk e identifikonin dot se çfarë kishte. Më pas, aktori tregoi se erdhi në Tiranë ku vuante nga sulmet e panikut. Ai tregoi se në disa shfaqje nuk ka marrë pjesë si pasojë e panikut.

“Unë kam vuajtur nga ankthi që në adoleshencën e hershme. Nuk e di, kisha ankth pa shkak, duke ndenjur në mësim ose në shtëpi. Më rriteshin të rrahurat e zemrës, mbushesha me djersë të ftohta. Më dukej sikur do vdisja. Nga mosdija si unë, si doktorët që kanë qenë në Sarandë, shkonim në spitale më bënin analiza zemre, tiroide. Më çonin në qorrsokak se nuk dinin çfarë të thonin. Më masnin të rrahurat e zemrës se i kisha 140-150 më thonin s’janë normale. Kur erdha në Tiranë prapë e njëjta gjë. Sëmuresha, shkoja tek doktori i zemrës. Derisa një ditë më çuan me zor në një psikolog. Me zor në kuptimin që i thosha nuk kam gjë nga mendja, e kam te zemra. Nuk kishte lidhje me turpin. Fola me atë psikologen ishte femër, më bëri më keq. Më dha ca kështu bimore… Unë në këtë kohë kisha kaluar në çrregullime paniku. Nuk kisha më ankth. Kishte filluar të më zinte paniku, bëhesha shumë keq. Punoja tek Apartamenti 2XL atëherë, 3-4 herë kam ikur nga shfaqja sa do fillonte shfaqja. Sa më anonçohej emri, unë isha Albano Bogdo, unë nuk dilja në skenë, dilja nga godina, ikja fare, ikja në spital. Aq shumë keq bëhesha. Shkoja në spital, i kisha të rrahurat e zemrës 160-170. Tensionin shumë të lartë. Vazhdonin prapë më vizitonin për zemrën… Nga  zemra s’kam asgjë”, tha Bogdo.

Sëmundjen, Bogdo tregoi se ia ka zbuluar një farmaciste.

“Kam qenë në shtëpi, ka qenë verë. Një farmaciste padashje sepse kishte të bijën që vuante të njëjtën gjë. Më tha, ti ke panik, duhet të shkosh në një psikiatër. I kam hipur taksisë menjëherë, kam shkuar tek “Pesa”, nuk e vrisja mendjen. Kam qenë aq keq saqë nuk e vrisja mendjen. Le të thonin jo është i çmendur… Psikiatria më dha një kokërr sa të qetësohesha për atë natë. U qetësova, u vizitova. Mu duk sikur u shërova nja 3 muaj. Vazhdoi prapë, të rikthehet”, tha Bogdo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Do të kujtoj deri në frymën e fundit”

Ditë zie/ Albano Bogdo humb njeriun e zemrës