I vetmi që e kujtoi 22 marsin e vitit 1992 sot ishte Sali Berisha. Njeriu që u bë president i vendit për 5 vjet e më pas kryeministër për 8 vjet e vendosi kontrollin e plotë të Partisë Demokratike.
Por kujtimi i Berishës është si gjithmonë krejt subjektiv, pa gjetur qoftë edhe një fije reflektimi për atë çka sot 31 vjet më pas mund të gjenden me mendje të ftohtë e kur ke parë edhe problemet e defektet.
Në postimin e tij në Facebook Berisha flet për suksese, për rritje të ekonomisë, rri pak te 1992-1997-a, shkon tek 2005-2013 e vjen sot tek inati që ka me lidershipin e Partisë Demokratike, duke e quajtur fasadë opozitë, e natyrisht e përdor për fushatën e tij të egër kundër PD-së.
Në fakt zhvillimi më i rëndësishëm politik sot 32 vjet pas 22 marsit 1992 është ngjizja edhe pse është në embrion, i një klase politike që i qëndron përballë Sali Berishës, duke synuar një ndryshim. Debat tjetër si e bën e me çfarë performance.
Debati politik për atë çfarë ndodhi në vitin 1992 dhe më pas, meriton një akademi në vete, por asnjëherë nuk është bërë realisht me argumente një diskutim i thellë e sa më gjithëpërfshirës. Natyrisht bëhet fjalë për aspektin politik të debatit, e jo në analizën se çfarë bëri PD-ja në mandatin më të madh që një forcë politike ka marrë ndonjëherë.
Për PD-në më 22 mars 1992 votuan 1.7 milionë shqiptarë, e që është mandati më i plotë që i është dhënë një force politike në histori.
Por debati politik për atë çfarë solli 22 marsi 1992, është se çfarë klase politike prodhoi ai uragan politik, i cili është një rast që nuk i vjen më jo më një force politike, por asnjë vendi.
Partia Demokratike mori presidencën, qeverinë, shumicën e parlamentit, e më pas edhe pse humbi vota në zgjedhjet lokale të 26 korrikut 1992, gjithsesi arriti të marrë qytetet e mëdha në zgjedhjet vendore. Tiranën, Shkodrën, Durrësin, Korçën, Elbasanin, Gjirokastrën, Vlorën, Fierin, e shumë e shumë të tjera. Mandate që i përtëriu edhe në vitin 1996, madje në një shumicë më të madhe.
Pavarësisht debatit mbi zgjdhjet e vitit 1996, fjala është për një numër të madh njerëzish që PD përfshiu në kupolën e lartë politike të vendit. Madje kur sheh Parlamentin e vitit 1996, shikon mjaft emra të njohur të artit e kulturës në vend që hynë në Kuvend me mandatet e PD-së. Ku janë sot të gjithë këta njerëz? Ku janë ministrat, drejtuesit e Kuvendit, kryebashkiakët, në kuptimin e përfshirjes së tyre në debatin dhe zhvillimet politike në PD?
Një pjesë e tyre është aktive në debat duke i thënë të gjitha ato që mendojnë si Bamir Topi-ish-Prsident, ish-ministër dhe ish-kryetar grupi parlamentar, Dashamir Shehi, ish-ministër e deputet, Astrit Patozi, ish-krytar grupi e sot drejtues i një partie alternative, një pjesë si Artan Hoxha, një nga ministrat e 1992-shit janë panelistë që mbrojtë doktorin, e një pjesë kanë humbur e nuk përfshihen.
Madje ajo që PD-ja ka humbur ndër vite në klasën politike 32 vjeçare është pikërisht qënia e saj politike në territor-qytete, fshatra. Ku PS-ja ka pasur gjithmonë avantazh, pasi prej vitit 2000 kontrollon jo vetëm qytetet kryesore por edhe qendra të tjera në vend, duke tentuar edhe Shkodrën këtë herë.
Një pjesë e madhe e drejtuesve të bashkive e komunave në vite, janë sot pjesë e politikës qendrore në PS, edhe pse natyrisht edhe aty nuk flitet rezonancë kolegjiale pasi ka vetëm një dorë që komandon.
Gjithsesi, edhe aty ku PD-ja ka pasur bastionet e saj, të cilat kanë ardhur ndër vite duke u rrudhur, nuk i ka mbajtur e promovuar si klasë politike. Ku janë sot kryebashkiakët e Shkodrës që nga viti 1992? i vetmi që është bërë deputet ndër ta është Lorenc Luka, i cili edhe pse ka qenë një aktivist politik i zoti, nuk mund të thuhet se ishte një figurë intelektuale dhe politike e nivelit për të hyrë në politikën nacionale.
Në mënyrë dialektike, pikërisht nga Shkodra, e cila është zona që i ka dhënë PD-së jo vetëm numrin më të madh të votash për 32 vjet, por edhe i ka siguruar mbijetesën, duhet të vinte lidershipi i Partisë Demokratike. Në mos kryetar, një drejtues i rëndësishëm i saj që të ketë ndikim në vendimarrje. Po ashtu edhe Lezha apo Kukësi, që janë qarqet që i kanë dhënë PD-së, oksigjenin në ditët më të vështira.
Natyrisht nuk ka pasur promovim, pasi ne sin ë PD, por edhe në PS e LSI apo të gjitha partitë të tjera kemi kryetarokracinë. Por asnjëherë nuk ka ardhur një përpjekje për revolucion, për të ndryshuar ujin e kënetës së ndjenjur. Për të treguar realisht peshën politike duke i marrë partisë atë që i kanë dhënë.
Ndaj dhe PD, por edhe partitë e tjera janë në këtë gjendje. Ky kalçifikim i klasës politike, duke mbajtur me oksigjen dinosaurit ka sjellë deri këtu, ku askush nuk ja mban të merret me politikë. Përveç atyre që kanë shumë para, apo ata që marrin para nga të tretët, e këta janë të fortët dhe horrat….