MENU
klinika

Hyrja është falas!

Shfaqja “Copë Copë” nesër në Teatrin Kombëtar Eksperimental

10.12.2018 - 17:11

Shfaqja “Copë Copë” vazhdon turneun regjional më 11 dhjetor nga ora 20:00 në Tiranë, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Copë Copë” është krijuar në vitin 2015 dhe është prezantuar tri herë në Prishtinë, një herë në Ferizaj dhe në Kukaj në EtnoFest ku është shpërblyer me tri çmime. 

Si dhe në kuadër të turneut rajonal, është prezantuar edhe në Gostivar në festivalin teatral “Othelo”, në Beograd në festival “Mirëdita, Dober Dan”, në Shkodër ne teatrin “Migjeni”, në Zagreb – Ditët e kulturës shqiptare dhe më datë 11 dhjetor 2018, pra që nesër, do të prezantohet në Tiranë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Copë Copë” bazohet në ngjarje të vërteta të grave në Kosovë. 

Një grua, mbijetuese e dhunës në familje është edhe performuese në skenë së bashku me aktoret profesionale. Skena të dhunës në familje, martesës me dhunë, abortit me probleme shëndetësore, përdhunimit të një çifti lezbik dhe stigmatizimit lidhur me çështjet e adoptimit paraqesin format e ndryshme të dhunës ndaj grave në shoqërinë kosovare. Në të njejtën hapsirë dhe kohë, aktoret dhe mbijetuesja gjejnë forcën dhe solidaritetin për t’u përballur me realitetin dhe për të vazhduar përpara.

Regjia e kësaj shfaqje mundësohet nga Zana Hoxha Krasniqi, dramaturge është Blerta Zeqiri ndërsa performuese janë aktoret e shquara: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi and Bashkime Sulejmani.

Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.