MENU
klinika

Për çfarë duhet të përgatitemi?

Adrian Civici: Përballja me profesionet e të ardhmes

29.03.2023 - 15:32

Shumë nga profesionet aktuale, shumë nga llojet e punëve me të cilat jemi mësuar e kanë qënë dominuese në tregjet punës deri tani, po fillojnë të zhduken, të evoluojmë, të bëhen dixhitale, ose akoma më shumë … të bëhen nga robotët. Një transformim i madh i ekonomisë po ndodh me një shpejtësi marramendëse. Kjo tendencë po prek pothujase të gjitha profesionet që ne njohim deri më sot. Revolucioni dixhital ka shkaktuar shumë “përmbysje të mëdha” në jetën tonë, veçanërisht në nivelin profesional. Dixhitalizimi e Automatizimi ka bërë që disa profesione të mos përdoren më, ndërsa të tjerë po rezistojnë duke iu përshtatur kohës. Për më tepër, disa profesione po shfaqen dhe premtojnë të jenë thelbësore për 2-3 dekadat e ardhshme. Por si do të duken profesionet e së nesërmes? Cili pritet të jetë profili dhe gama e tyre në të ardhmen? Inteligjenca artificiale, robotika apo realiteti virtual po transformojnë profesionet ekzistuese dhe po krijojnë të reja. Si të pozicionoheni në punët e sotme dhe të nesërme?

Një studim i fundit i publikuar nga Dell dhe “Instituti për të Ardhmen”(SHBA) tregon se 85% e vendeve të punës të vitit 2030 nuk ekzistojnë pasi nuk janë krijuar ende. Nga ana tjetër,studimi thekson se “jemi të sigurt se shumica e këtyre punëve do të jenë në fushën dixhitale. Bota po ndryshon shumë shpejt, teknologjitë gjithashtu”. Tani pranohet gjerësisht se transformimi dixhital do të prishë metodat aktuale të prodhimit si dhe hierarkitë, aftësitë dhe profesionet, dhe në këtë mënyrë do të ketë një ndikim të rëndësishëm në punësimin dhe marrëdhëniet shoqërore, njëlloj si si Fordizmi një shekull më parë.

Në Raportin e tij për të ardhmen e vendeve të punës, Forumi Ekonomik Botëror (WEF) parashikon se 50 përqind e të gjithë punonjësve do të kenë nevojë për kualifikime e rikualifikime thelbësore. Deri në vitin 2025, mbi 85 milionë vende pune janë në rrezik për egzistencën e tyre si efekt i zhvillimeve teknologjike. Por në të njëjtën kohë, mbi 100 milionë vende pune të reja mund të lindin si pasojë e këtyre ndryshimeve. Kjo është një përmbysje totale e konjukturës aktuale të punësimit, por dhe formimit profesional dhe profilit të tregut të punës.

Ky rezultat është paksa befasues, por kjo shifër është dhënë pas një studimi të thelluar të një grupi ekspertësh mjaft të njohur. Pse? Kjo do të ndodhë për shkak të revolucionit të dixhitalizimit, robotizimit dhe inteligjencës artificiale. Zhvillimi dixhital është i ndarë në tre faza, e para tashmë është krijuar dhe nuk është gjë tjetër veçse imitimi i thjeshtë i një inteligjence logjike. Ndërkohë, zgjerimi me shpejtësi i dy fazave të tjera, robotizimi dhe inteligjenca artificiale pritet të arrijë nivele shumë të larta e zgjerim masiv gjatë kësaj dekade. Natyrisht që kjo do të shoqërohet me domosdoshmërinë e profesioneve të reja që lidhen me këtë zhvillim.

Në vitin 2030, mbi 70% e të diplomuarve nuk do munden të gjejnë dot një vend pune apo profesion egzistues të konsoliduar …. Por do ta krijojnë dhe zhvillojnë vetë atë …..Në 2 dekadat e ardhshme … mbi 80% e atyre që sot cilësohen si “profesione klasike të konsoliduara” do zhduken për tu zëvendësuar me profesione e vende pune “multifunksionale e pluri disiplinore” … Në vitet 1960-2000, një pjesë e rëndësishme e të punësuarve që zotëronin një diplomë profesionale / universitare vlerësohej nga “cilësia e të diplomuarit”, nga shkalla e vlerësimit, nga “emri dhe prestigji i universitetit”.

Koncepti “profesion”, “vend pune i konsoliduar” ishte dominues – studentët kur zgjidhnin degën / fakultetin, mendonin preferencat, “profesionet” apo “drejtimet profesionale” që synonin. Periudha 2000-2020-të, shfaqet një “fenomen i ri” që reflektonte një situatë të re në tregjet e punës dhe formimit profesional / universitar : cilësia e të diplomuarit dhe emri i universitetit kaluan në plan të dytë përballë vlerësimit të : “nivelit dhe llojit të kompetencave” … “kreativitetit” … “fleksibilitetit” … “kompleksitetit” … “dixhitalizimit” … “formave të komunikimit” … “raportet me teknollogjinë” … “aftësitë kritike përballë dijes dhe informacionit” … etj

Sipas Forumit Ekonomik Botëror (2022), këto janë 10 aftësitë kryesore të domosdoshme për vitet në vijim : Mendimi analitik dhe inovacioni; Strategjitë e të nxënit dhe të nxënit aktiv; Zgjidhja komplekse e problemeve; Mendimi dhe analiza kritike; Kreativiteti, origjinaliteti dhe iniciativa; Udhëheqja dhe ndikimi social; Përdorimi, monitorimi dhe kontrolli i teknologjisë; Dizajn dhe programim teknologjik; Rezistencë, tolerancë ndaj stresit dhe fleksibilitet; dhe, Arsyetimi, zgjidhja e problemeve dhe ideimi i tyre.

I gjithë ky ndryshim radikal që po ndodh “në jetën reale”, kërkon me urgjencë “ndryshime radikale dhe në sistemet e edukimit në përgjithësi dhe ato të formimit profesional në vecanti”. Sistemet arsimore, në të gjithë nivelet e tyre, po reagojnë me shpejtësi në përputhje me sfidat e reja, për ti paraprirë këtyre ndryshimeve të kësaj epoke të re ku kemi hyrë.

Në librin e tij “Vala e tretë” botuar në vitin 1980, sociologu amerikan Alvin Toffler shpjegon se njerëzimi ka përjetuar dy valë të mëdha ndryshimesh në historinë e tij. E para, e “shkaktuar nga shpikja e bujqësisë”. E dyta korrespondon me “ 3 revolucionet industriale”. Ai shton se një valë e katërt do të zhvillohet dhe se ne jemi në tranzicion drejt një shoqërie post-industriale të bazuar në informacion dhe komunikim dixhital.

Ne po përballemi me një epokë ndryshimesh rrënjësore që nuk do të sillen vetëm nga evolucioni i teknologjisë, por edhe nga sjellja njerëzore kundrejt saj. Sipas futurologut Ian Pearson, “gati 9.4 miliardë robotë në gjendje pune do të bashkëjetojnë me njerëzit në vitin 2050. Ata do të ndajnë jetën tonë të përditshme dhe do të na ndihmojnë në detyrat më të vështira”.

Shumë nga njohuritë dhe dijet që kanë marrë apo vazhdojnë të marrin nxënësit dhe studentët aktualë shumë shpejt do jënë thjesht “pjesë e historisë dhe të kaluarës” duke mos ju përgjigjur dot zhvillimeve dhe kompetencave të reja”. Ashtu si bizneset, edhe kolegjet profesionale, universitetet apo qëndrat kërkimore-shkencore po lëvizin me shpëjtësi drejt përballimit me këto sfida të reja, në mënyrë që ti paraprinë kësaj tendence të re.

Nëse ka një drejtim që po shpërthen, ajo është Big Data dhe inteligjenca artificiale. Është një revolucion i vërtetë, me shumë aplikacione që variojnë nga industria, transporti, arsimi, tregëtia…shëndetësia, etj. Të gjitha bizneset/kompanitë kërkojnë të përfitojnë nga Big Data dhe inteligjenca artificiale, për të marrë më shumë njohuri dhe për të optimizuar performancën e tyre. Aftësitë në menaxhimin e Big Data dhe Inteligjencës Artificiale ​​janë nga më të vlerësuarat dhe më të kërkuarat në tregjet e punës.

Në ofertat / kërkesat pë punësim, në cilësitë për t’u punësuar, nuk janë më në plan të parë diplomat universitare… sidomos në informacionet decizive për të fituar postet vakante të punës, por një tendencë e tillë ka ndryshuar. BE publikon një raport të veçantë “mjaft shqetësues” për vendet vakante në sektorë kryesorë të ekonomisë dhe zhvillimit …. që janë disa milionë vende vakante. Shkaku kryesor : mungesa e kandidatëve të specializuar, mungesa e kompetencave specifike të kërkuara. Mbi 70% e këtyre vendeve vakante nuk mund të zihen duke paraqitur vetëm një diplomë universitare … por duke “dëshmuar nivelin e përvetësimit të kompetenceva dhe dijeve të reja të së ardhmes” ….

Skemat mbështetëse për ruajtjen e vëndeve të punës të aplikuara gjerësisht gjatë periudhës të pandemisë së covid-19 ndihmuan në parandalimin e papunësisë masive afatshkurtër, por, këto lloj skemash mbështetje financiare nuk mund të vazhdojnë pafundësisht, pasi janë shumë të kushtueshme dhe e zgjidhin përkohësisht problemin e papunësisë dhe mbështetjes sociale. Aq më tepër në shumë vende të varfëra apo ato me ekonomi emergjente të cilat janë të kushtëzuara nga vështirësitë buxhetore e financiare për të aplikuar për një kohë të gjatë skema të tilla. Tashmë sfidat për ruajtjen e punësimit dhe gjendjes së ekonomisë e bizneseve janë krejtësisht të reja, dhe në mjaft raste të panjohura më parë.

Aktualisht, p.sh., vetëm në disa nga vendet më të zhvilluara europiane, si pasojë e “zombie jobs”, “punëve e profesioneve pa të ardhme” ose sic quhen tashmë “bizneset e vdekura të gjalla”, këto vende po i tremben një “pamundësie rrikthimi në kushte normale në punë të rreth 8-9 milion punonjësve”, si pasojë e “mbylles apo ngushtimit të aktiviteteve të profesioneve të goditura rëndë nga kriza dhe vecanërisht në pamundësi përshtatje me kushtet e reja”. Riaftësimim i tyre profesional me profesionet apo zanatet e reja që po lulëzojnë në këtë periudhë mbetet sfida më e madhe e qeverive dhe sistemeve arsimore e kualifikuese.

Në kuadrin e “revolucionit 4.0” po krijojnë kompetenca dhe profesione të reja: Specialist në sigurinë kibernetike; Ekspert në mbrojtjen e të dhënave; Inxhinier në inteligjencën artificiale; Zhvillues të dhënash dhe ekspert në Big Data; Këshilltar dhe analist inovacioni; Ekspert eficence dhe aplikimi start up-esh; Menaxher tranzicioni dixhital; Analist dhe këshilltar risku e paqartësie; Community Manager (Menaxher i Komunitetit); Product Owner (Pronar i Produktit); Ekspert dialogimi; Asistent virtual; Ekspert videografie; Multichannel communication consultant; Menaxher rendimenti apo optimizues aktiviteti; Arkitekt Mjedisi; Kirurg i specializuar në telekirurgji; Ekspert në Nanomedicinë; Ndërlidhës financiar; Inxhinier i autonomisë financiare; Inxhinier i inteligjencës artificiale; Inxhinier i energjisë së rinovueshme; Ekspert tregjesh dhe monedhash virtuale; Zoom support specialists, specialist zhvillues Web-i, Zhvillues gjuhësh informatike, Identifikues dhe zhvillues talentesh, etj., etj., janë vetem disa nga profesionet e reja që po zhvillohen me shpejtësi duke qenë njëkohësisht dhe më të kërkuarat në treg.

Ekonomia, financat, bizneset, shërbimet, sektori publik, administrimi, duhet të adaptohen me këtë tendencë të cilësuar si “delinearizim” i zakoneve të jetës, konsumit, prodhimit e shpërndarjes, financave, transportit, komunikimit, modelit të biznesit etj., të “provokuar” nga situata e pandemisë së COVID-19, por edhe të servirur si rruga drejt së ardhmes.

Pothuajse çdo “vendim” apo “veprim” do të bazohet në teknikat digjitale. COVID-19 nuk transformoi vetëm profesionet dhe kompetencat ekzistuese në kuadrin e revolucionit 4.0 apo digjitalizimit maksimal … por, mbi të gjitha, krijoi një fushë të gjerë veprimi digjitale nga A te Zh-ja në të gjitha aktivitetet ekonomike, financiare, tregtare, shëndetësore, arsimore, kulturore, sportive etj., në shërbim të zhvillimit ekonomiko-social, nivelit të jetesës dhe mirëqenies.

“Mbi 50% e bizneseve që nuk arrijnë të përshtaten me sfidat dhe profesionet e reja digjitale, rrezikojnë të falimentojnë dhe të dalin përfundimisht nga tregu”. Bizneset e prodhimit / shërbimeve po përballen me “domosdoshmërinë e digjitalizimit sa më të gjerë të aktivitetit të tyre”, me ndryshime radikale të mënyrës së tyre të punës …me konstatimin shqetësues të mangësive serioze të digjitalizimit të deritanishëm … “Telework” & digjitalizimi masiv të teknologjive të prodhimit, shërbimeve e proceseve të punës, tashmë është pjesë e çdo diskutimi, projekti, prioriteti e strategjie për të ardhmen.

Këto ndryshime kërkojnë një revolucion të kompetencave të burimeve njerëzore në gjithë hallkat e skemave menaxheriale. Prodhimi në distancë, puna në distancë, shitjet në distancë, komunikimi me klientët në distancë, marrëdhëniet me bankat në distancë, kontrolli në distancë, organizues eventesh online etj., ….. të gjitha nëpërmjet ekranit të kompjuterit, janë shembulli më i mirë i kësaj epoke të re.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për çfarë duhet të përgatitemi?

Adrian Civici: Përballja me profesionet e të ardhmes