Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se beson në pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në një intervistë për “Debat Plus”, i pyetur pse nuk i ka vizituar ish-krerët e UÇK-së, ai ka thënë se nuk beson se një vizitë e tij do t’i ndihmonte. Sipas tij, e rëndësishme është takimi me avokatët e të akuzuarve dhe koordinimi me ta.
“Unë kam konsideruar se vizita ime atje nuk ndihmon. Më shumë ndikon takimi me avokatët sepse jam i interesuar që ata të ndajnë me mua se çka krejt planifikojnë ta bëjnë si mbrojtje, e pastaj të koordinohemi se kurrsesi të mos dëmtohet lufta e UÇK-së,”- ka thënë ai.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, tashmë i kanë mbushur dy vjet që mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.