Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka kritikuar një gazetar në Serbi pasi ky i fundit e ka pyetur për konvertimin e targave nga ‘KM’ në RKS. Ai ka deklaruar se nuk ka afate dhe kufizime për riregjistrimin e automjeteve, ndërsa shtoi se nuk mund të ndikojë në lëvizjet e njëanshme të kryeministrit Albin Kurtit, shkruan media serbe N1.
“Po mundohen t’ju thonë se kur Kurti bën diçka në mënyrë të njëanshme dhe terrorizon qytetarët tanë, për këtë nuk është fajtor Kurti, fajtor është Vuçiçi. Dhe çfarë mjetesh mund të përdor për të parandaluar dhunën ndaj serbëve përveç thirrjeve të vazhdueshme intensive për paqe, bisedime, kompromise dhe gjithçka tjetër, sepse nëse them se po shkoj me armë, do të jeni i pari që do të thoni se ‘po na kthen në vitet 1990, po na çon në luftëra’, sepse me ju parimet nuk ekzistojnë, por ‘le të themi diçka kundër Vuçiçit’”, tha Vuçiç.
“Çfarë prisni tjetër nga unë”, ka pyetur Vuçiç, por nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse të gjithë ata që kanë automjete me targa KM do të duhet të riregjistrohen në targa të Republikës së Kosovës.
Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave në nëntor të vitit të kaluar, nuk ka afate kohore apo afat skadimi, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.