Gjykata e Kurbinit ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-policit të forcave operacionale, Jeton Lami, i akuzuar për shpërdorim detyre pasi u arrestua sepse shoqëronte të shumëkërkuarin e zhdukur pa gjurmë prej 9 gushtit, Ervis Martinaj.
Gjykata ka konfirmuar akuzën e ngritur ndaj tij dhe ka pranuar ta gjykojë atë me procedurë të shkurtuar. Rrjedhimisht, në momentin që Lami dënohet e shpallet fajtor do të përfitojë ulje dënimi.
Ish-agjenti i Operacioniales u arrestua në Gusht të 2022, vetëm disa ditë pasi familja e Ervis Martinajt kallëzoi humbjen e kontakteve me të shumëkërkuarin. Jeton Lami rezultoi ndër personat e fundit që kishte patur kontakte me Martinajn, e vërtetuar dhe me pamje filmike në një hotel në Durrës. Por që nga gushti dhe deri më tani, Jeton Lami nuk ka pranuar që të flasë.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles.
Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.