Përpjekja kolektive për të përmirësuar trajtimin e kancerit, përshkruhet shpesh si një “luftë”, sikur tumoret malinje të jenë një plagë që duhet të çrrënjoset në mënyrë të pamëshirshme dhe të shkatërrohet që në momentin që zbulohet. Por tani onkologët po bëjnë gjithnjë e më shumë thirrje për një “armëpushim” në rastin e shumë llojeve të kancerit.
Sepse sipas tyre lufta mund të ketë shkuar shumë larg. Meqenëse gjurmimi dhe shqyrtimi i kancerit është bërë më i fuqishëm në shtrirje dhe gjithnjë e më i përhapur si praktikë, ne po zbulojmë më shumë kancere se kurrë më parë, dhe po i kapim ato më herët në kohë.
Një studim i CDC në SHBA, i publikuar vitin e kaluar zbuloi se midis viteve 2009-2018, numri i njerëzve të diagnostikuar me kancer në këtë vend u rrit nga 1.292.222 në 1.708.921 persona. Për kanceret agresive të mushkërive, zorrës së trashë dhe pankreasit, ky zbulim i avancuar mund të jetë shpëtimtar për pacientin.
Por për kanceret me rrezikshmëri të ulët, duke përfshirë për shembull atë të prostatës, tiroides, disa limfoma jo-Hodgkin dhe disa zona të gjirit, një test pozitiv mund të shkaktojë një stres emocional dhe një trajtim të panevojshëm me rreze dhe barna, që shkaktojnë jo pak dëme.
Disa lloje të kancerit nuk duhet të trajtohen
Kanceri, ose atë që shumë njerëz e shohin instinktivisht si një dënim me vdekje, ekziston në fakt në një spektër të gjerë, duke filluar nga rreziku tejet i ulët, me më pak se 5 për qind mundësi për të përparuar gjatë 2 dekadave të ardhshme, tek ato me rrezikshmëri shumë të lartë, pra më shumë se 75 për qind mundësi për të përparuar gjatë 1-2 viteve të ardhshme.
Meqë trajtimi i kancerit, përfshirë kimioterapinë dhe kirurgjinë, mund të jetë i kushtueshëm dhe mund të ndryshojë jetën, synimi duhet të jetë përdorimi i këtyre armëve në rastet për të cilat kërkohet, dhe shmangien e tyre në raste jo emergjente.
Pra, për kanceret me rrezik të ulët, qasja duhet të jetë ndoshta ajo që quhet “mbikëqyrje aktive”, e përcaktuar nga Instituti Kombëtar i Kancerit si “një plan trajtimi që përfshin vëzhgimin nga afër të gjendjes së pacientit, por jo dhënien e ndonjë trajtimi, përveç nëse ka ndryshime në test, me rezultatet që tregojnë se gjendja po përkeqësohet”.
Kohët e fundit, një studim afatgjatë që krahasoi mbikëqyrjen aktive të kancerit të prostatës me terapitë agresive si kirurgjia dhe radioterapia, nuk gjeti asnjë ndryshim në normat e mbijetesës gjatë 15 viteve të ndjekjes. Një studim i vitit 2021, që krahasoi ndërhyrjen kirurgjikale ndaj melanomës dhe monitorimin e tij të thjeshtë me ultratinguj, kishte të njëjtin rrezik të përgjithshëm nga vdekja.
Studimet e përsëritura të mbikëqyrjes aktive ndaj kancerit të tiroides, raportuan gjithashtu rezultate të shkëlqyera për pacientët. “Unë mendoj se roli i ri i mjekëve, është të jetë ai i një ‘trajnuesi’ që duhet të përpiqen t’i ndihmojnë vërtet njerëzit në shpjegimin e të gjitha këtyre të dhënave të ndërlikuara, duke i ndihmuar të bëjnë një zgjedhje që është e duhura për ta”- tha për “CBS News” në 2017 dr.Laura Eserman, kirurge e kancerit të gjirit dhe onkologe në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko.
Mos e quani kancer
Një metodë që mund të përdorin mjekët me pacientët e tyre, është që të përmbahen nga të etiketuarit si “kancer” të një tumori shumë të hershëm dhe joagresiv. Një studim i vitit 2019, zbuloi se vullnetarët e paraqitur me një diagnozë hipotetike zgjodhën shumë më shpesh operacionin mbi mbikëqyrjen, kur një tumor përshkruhej si “kancer” dhe jo si një “nishan”, një term që ka më pak ngarkesë emocionale.
Po ashtu, mjekët mund të zvogëlojnë mbikëqyrjen, veçanërisht për të rriturit e shëndetshëm apo të moshuarit, të cilët ka të ngjarë të zgjedhin të mos trajtojnë një kancer të diagnostikuar. Fatkeqësisht, nxitja për zbulimin dhe trajtimin e hershëm mund të jetë e vështirë për t’u ndryshuar, tha për “CBS News” dr.H.Xhilbert Uelsh, një studiues i shquar i kancerit.
“Ironikisht, sa më shumë mbidiagnoza të kryejë një test depistues, aq më popullor bëhet ai, sepse ka më shumë njerëz që mendojnë se janë ‘të mbijetuar’ për shkak të depistimit. Edhe pse ndodh të jetë një kancer që nuk do t’i shqetësonte kurrë. Por ata nuk do ta dinë kurrë këtë”- tha ai.