Nuk kanë kaluar shumë ditë që kur ai bashkë-nënshkruan tekstin për të shprehur shqetësimin për rreziqet e inteligjencës artificiale dhe Elon Musk thuhet se është gati të hedhë modelin e tij të AI konkurrent të ChatGPT.
Fusha e inteligjencës artificiale muajt e fundit ka përjetuar një shpërthim të paprecedentë me modele të tilla si ChatGPT ose GPT4. Kërkimi po përparon me shpejtësi, por duhen gjithashtu “xhepa të thellë” për të financuar kërkimin, për të tërhequr talentin dhe për të blerë pajisje, të cilat Musk i ka.
Sipas raporteve pronari i Twitter po planifikon një kompani të AI për të konkurruar me OpenAI, i cili krijoi ChatGPT. Ai ishte një nga bashkëthemeluesit e OpenAI në 2015 por u largua tre vjet më vonë.
Të dhënat publike nga Nevada tregojnë se më 9 mars ai themeloi një kompani të quajtur X.AI në të cilën ai është drejtor i vetëm. X Corp do të jetë gjithashtu një kompani ombrellë nën të cilën do të bien të gjitha bizneset e Musk, përfshirë Twitter.
Financial Times raporton se Musk, është duke “ndërtuar” ekipin e studiuesve dhe zhvilluesve, ndërkohë që po bisedon edhe me investitorët. Thashethemet thonë se ai bleu mijëra GPU, procesorë të specializuar të përdorur në kërkimin e inteligjencës artificiale.
Microsoft, Google dhe Amazon, si dhe shumë kompani më të vogla, kanë filluar tashmë luftën e AI.
Përballë zhvillimeve të stuhishme, Musk kishte nënshkruar një peticion së bashku me 1800 figura të fushës së teknologjisë për të pezulluar kërkimet në inteligjencën artificiale për gjashtë muaj derisa të sqarohen disa çështje etike. Por sipas Guardian, u zbulua se disa nga nënshkrimet ishin falsifikuar.