MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Fëmija im 2-vjeçar zemërohet shumë. A është normale?

20.04.2023 - 10:50

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Fëmija im 2-vjeçar zemërohet shumë. A është normale?

Mjeku: Aty nga mosha 2-3 vjeç, meqë arrijnë njëfarë zhvillimi, fëmijët në kërkim të pavarësisë së mëtejshme sillen nëpër shtëpi si “zbulues”, qëndrojnë para pasqyrës duke thënë “jo, jo”, duan të arrijnë e të kapin çdo gjë (duke u bërë ndonjëherë viktima aksidentesh), kundërshtojnë vend e pa vend çdo gjë (të vishen, të ushqehen etj) e nuk binden si më parë. Shpesh reagojnë me shenja zemërimi të tepruar e veprime të dhunshme, duke krijuar përshtypjen se kanë ndërruar karakter.

Në të vërtetë nuk ka ndryshuar asgjë. Kemi të bëjmë me një etapë kalimtare, pa probleme karakteri, por që duhet trajtuar me kujdes. Për të mësuar ç’keni bërë ju në atë moshë, pyesni prindërit tuaj.

Si duhet vepruar?
Duke njohur dukuritë e moshës, mundohuni të gjeni pozicionin tuaj në raport me fëmijën. Mundësisht krijoni kushte për të shprehur energjitë e tij, siguroni lodra që vënë në lëvizje aftësitë e moshës, tërhiqeni në shëtitje, argëtime etj. Ndaj kërkesave të tepruara e tekave, mendohuni mirë para se të thoni “jo” dhe mos u thyeni asnjëherë para veprimeve të tij. Në raste të tilla, bëni mirë ta injoroni duke i dhënë përshtypjen se po merreni me punë të tjera. Rëndësi të veçantë ka të mos ketë të çara midis pjesëtarëve të familjes, pasi të vegjlit këto të çara i shfrytëzojnë me mjeshtëri.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.