Të dielën e 23 prillit, sytë e Kosovës, Serbisë por edhe ndërkombëtarëve do të jenë në veri, aty ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Numri i incidenteve të regjistruara ditëve të fundit në veri, nga djegia e veturave e deri tek plagosja e një qytetari serb, po konsiderohen të jenë të qëllimshme nga Serbia që komuniteti serb të refuzojë daljen në zgjedhje, dhe shtyrjen sërish të procesit, siç ndodhi edhe më parë. Ndaj, edhe atë ditë priten përplasje e incidente, me skenarë nga më të mundshmit për trazira. Sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, situata paraqitet kaotike, dhe mund të pritet edhe bllokim rrugësh, djegie veturash, përt ë pamundësuar lëvizjen e strukturave të sigurisë së Kosovës. Megjithatë, duket se SHBA “kanë shuar” çdo ide të tillë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, si dhe rrethit të tij, që së fundmi kanë shtuar thirrjet dhe kërcënimet që zgjedhjet të mos mbahen. Kjo është bërë edhe më e qartë nga deklaratat e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Njohja e zgjedhjeve
Ai ka thënë se SHBA do të njohë rezultatet e zgjedhjeve në katër komuna në veriun e Kosovës, edhe pse serbët do t’i bojkotojnë, dhe u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet e Prishtinës.“I kam bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar .
Ndalimi i kërcënimeve
Ai tha se SHBA-të po kërkojnë që serbët të kthehen në departamentet e policisë, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore. “Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje. Kjo është një pyetje vërtet komplekse. Do të nevojitet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”, tha Escobar. Ai theksoi se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen “nga të gjitha anët”, në mënyrë që këta njerëz të jetojnë në një “mënyrë paqësore dhe demokratike” në një shoqëri demokratike. “Djegia e automjeteve dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, prandaj mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, tha Escobar.
Formimi i Asociacionit
Siç tha ai, SHBA pret që Beogradi dhe Prishtina të ofrojnë një kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe propozimet fillestare për formimin e Unionit të Komunave Serbe. “Ne presim propozime fillestare për formimin e ZSO, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura,” tha Escobar për Tanjug.Duke komentuar faktin se në 10-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, ZSO ende nuk është formuar, Escobar tha se pajtohet me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, me mendimin se tani është koha. ”Ai ka të drejtë. Është një detyrim ligjor ekzistues dhe ne e mbështesim atë”, tha Escobar.
Thirrja për Kosovën
Lidhur me deklaratën e tij të mëparshme se ZSO do të formohet “me apo pa Kurtin”, ai tha se ZSO është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjes në Ohër, si dhe e planit evropian dhe se kjo është diçka që patjetër do të ndodhë. “Pyetja e vetme është se deri ku dëshiron të pranojë qeveria e Kosovës, pra të përqafojë obligimet ekzistuese dhe të vazhdojëmë tej”, tha Escobar. Ai ka thënë se nuk i takon SHBA-ve të vendosin se sipas modelit të formimit të ZSO-së dhe se është në dorën e palëve pjesëmarrëse në negociata. “Përfaqësuesit e BE-së kanë bërë disa propozime që janë në përputhje me rregullat e BE-së dhe kushtetutshmërinë e Kosovës, por të dyja palët duhet të vendosin se çfarë është më e mira për ta”, ka përfunduar Escobar.