MENU
klinika

Ja çfarë do të diskutohet

Takimi Kurti-Vuçiç në maj, Lajçak zbulon temat kryesore

24.04.2023 - 14:12

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi se në takimin e 2 majit, ku pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të diskutohen zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, miratizmi zyrtar i deklaratës për personat e zhdukur dhe se draft statuti për Asosacionin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ku bëri një përmbledhje të takimeve të javës së kaloi, Lajçak tha se kjo është një kohë e përgatitjeve intensive dhe se pas Ohrit, ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Këtë javë e përfundova në Vjenë, ku mora pjesë në takimin rajonal të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në fillim të kësaj jave në Bruksel, u takova me komandantin e KFOR-it të NATO-s, gjeneralmajor Ristuccia për të përditësuar njëri-tjetrin në fushat tona përkatëse të përgjegjësisë. Unë e vlerësoj bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe njohuritë e tij të vlefshme për situatën e sigurisë në Kosovë, në veçanti në veri të Kosovës. Kam pasur një takim edhe me kryetarin e Seksionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social Dimitriadis. Unë jam mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e tij në Dialog dhe vlerësoj përpjekjet praktike të KESE-së në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për avancimin e qëllimeve tona të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor.

Me takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë që do të mbahet më 2 maj, kjo është një kohë e përgatitjeve intensive. Si takimi i parë i nivelit të lartë pas Ohrit, do të jetë një takim i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj. Agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft Statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale. Prandaj ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, shkroi Lajçak në Facebook.