“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Jam një grua 39 vjeç dhe doja të pyesja rreth një problemi që ka kohë që më shqetëson. Kam gurë në tëmth dhe herë pas here kam kriza. Doja të dija se çfarë mund të bëj për të qetësuar dhimbjet dhe si mjekohet sëmundja?
Mjeku: Së pari do i sqaroja lexuesen se mjekimi i gurëve në tëmth konsiston në mjekimin e krizës kolikës biliare) dhe në mjekimin përfundimtar. Së pari, në kontrollin e krizës ka rëndësi mënjanimi i plotë i ushqyerjes nga goja, madje dhe vendosja e sondës nazo-gastrike për të lehtësuar të vjellat. Terapia fillon me përdorimin nën gjuhë të trinitratit të glicerinës. Nëse dhimbja nuk qetësohet për 20-30 minuta, mund të përdoren antispastikët, p.sh sulfati i antropinës, sulfati i papaverinës, buskopani 3×1 amp, NO-SPA 1-2 amp me përdorim venoz. Dua të theksoj se, ndalohet rreptësishtë përdorimi i petidinës dhe i morfinës, pasi rrisin mundësinë e shkaktimit të pankreatitit akut. Në rast mbishtimi të infeksioneve përdoren antibiotikët me rrugë muskulore, orale ose venoze. Ndërsa trajtimi përfundimtar konsiston në përdorimin e preparateve gurëshkrirës dhe heqjen kirurgjikale të fshikëzës së tëmthit. Kriteri bazë për përdorimin e preparateve gurëshkrirës janë përbërja e gurit dhe madhësia e tij. Nga këto preparate përfitojnë personat me gurë nga kolesteroli, të pakalcifikuara, dhe me përmasa më të vegjël se 10 mm. Ritmi i zvogëlimit të përmasave të gurit me mjekimin me këto ilaçe luhatet 0.6-0.7 mm/muaj. Në rast se pas 6 muajsh guri nuk zhduket, mjekimi ndërpritet, sepse nuk ka logjikë vazhdimi i tij.
Në këto raste rekomandohen ndërhyrjet kirurgjikale sepse kanë efektivitet të menjëhershëm, të plotë dhe përfundimtar. Përveç kësaj zvogëlojnë mundësinë për përsëritjen e gurëve, mënjanojnë mundësinë e ndërlikimeve me organet fqinjë dhe së fundi, zhdukin rrezikun për shfaqjen e kancerit të fshikëzës së tëmthit.
Heqja e tëmthit bëhet nëpërmjet laparotomisë: hapja e kavitetit abdominal dhe heqja e gurëve bashkë me fshikëzën e tëmthit dhe laparoskopisë, ose siç njihet ndryshe sondës. Kjo është teknikë e viteve të fundit, por që nuk mund të realizohet në pacientët që kanë bërë ndërhyrje të mëparshme në bark, apo në ato raste kur gurët janë ndërlikuar me kolecistit akut (infeksion i fshikëzës së tëmthit)
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.