Udhëheqësit e shtatë prej vendeve më të pasura të botës takohen këtë javë në samitin e G7-ës, për të diskutuar çështje gjeopolitike, ekonomike dhe klimatike.
Ngjarja zhvillohet në qytetin japonez të Hiroshimës.
Çfarë është samiti i G7-ës?
G7 është një grupim joformal i vendeve të pasura perëndimore. Nuk ka sekretariat të përhershëm apo status ligjor. Çdo vit, njëri prej vendeve anëtare merr presidencën e grupit, përcakton prioritetet dhe organizon një samit të liderëve, si dhe takime ministrore gjatë gjithë vitit.
Italia do ta marrë presidencën nga Japonia në vitin 2024. Rusia u përfshi në atë që u bë G8 në vitin 1997, por u përjashtua në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina.
Ku dhe kur mbahet?
Takimi i këtij viti do të mbahet nga data 19 deri më 21 maj në Hiroshimë të Japonisë, që në vitin 1945 ishte qyteti i parë që u bombardua me armë bërthamore.
Kush merr pjesë?
G7 përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë. Përfaqësues nga Bashkimi Evropian marrin pjesë, po ashtu.
Viteve të fundit u bë zakon që të ftohen edhe vende të tjera, për të ndihmuar në nxjerrjen në pah të çështjeve kryesore.
Këtë vit, në mesin e të ftuarve janë udhëheqësit e Australisë, Brazilit, Ishujve Kuk për Forumin e Paqësorit, Indisë, Indonezisë, Koresë së Jugut e Vietnamit.
G7-ta dhe shtetet e tjera perëndimore po përpiqen t’i forcojnë aleancat, të arrijnë te Jugu Global dhe ta mbrojnë ndikimin e tyre në tkurrje, pasi Kina dhe Rusia po përpiqen të depërtojnë ekonomikisht dhe të nxisin alternativa ndaj rendit ndërkombëtar ekzistues.
G7-ta u themelua pas embargos së naftës nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), në vitin 1973, si një forum për vendet më të pasura për të diskutuar çështjet ekonomike globale. Vendet e G7-ës kanë një bruto prodhim të brendshëm të kombinuar që arrin 40 trilionë dollarë brenda viti – pak më pak se gjysma e ekonomisë botërore.
Nga Rusia, Kina deri te çështjet bërthamore: Çfarë është në agjendë?
G7-ta do të zhvillojë diskutime të gjera mbi ndryshimet klimatike, shëndetin e ekonomisë globale, inflacionin dhe sigurinë globale të ushqimit.
Edhe më shumë se një vit pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, konflikti do të jetë në qendër të vëmendjes.
G7-ta do të dëshirojë të tregojë unitet përpara kundërofensivës së pritur të Ukrainës, duke nënvizuar nevojën për më shumë dërgesa armësh, mbështetje politike dhe ndihmë financiare.
Sasia e ndihmës që do të ofrojë G7-ta në muajt e ardhshëm, do të luajë rol të madh në përcaktimin e mënyrës se si do të përfundojë konflikti.
Kjo do të shoqërohet me premtime për intensifikimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Por, prapa skenave, vendet e G7-ës ndryshojnë në qasje ndaj çështjeve të tilla.
Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky, pritet t’i drejtohet G7-ës përmes video-lidhjes.
Pengimi i Kinës
Shtetet e Bashkuara po i shtyjnë aleatët e tyre më të afërt për një strategji më të fortë parandaluese ndaj Kinës.
G7-ta në Japoni do të jetë forumi për ta përcaktuar këtë.
Mospërhapja bërthamore
Zgjedhja simbolike e kryeministrit japonez, Fumio Kishida, për Hiroshimën, si vend nikoqir, nxjerr në pah dëshirën e tij për të vendosur çarmatimin bërthamor dhe mospërhapjen bërthamore në krye të agjendës së këtij viti.
Arkitektura e sigurisë bërthamore pas Luftës së Dytë Botërore është duke u tronditur nga paralajmërimet e fshehta të Rusisë se mund të përdorë armë taktike bërthamore në Ukrainë, nga testimet e përsëritura të raketave balistike në Korenë e Veriut, si dhe nga zgjerimi i programit bërthamor në Iran.
Inteligjenca artificiale
Edhe pse fillimisht nuk ishte në agjendë, rritja e shpejtë e inteligjencës gjeneruese artificiale bëri që udhëheqësit e G7-ës të mos mund ta injorojnë më atë.
Ministrat digjitalë të G7-ës ranë dakord në prill për miratimin e rregullores për inteligjencën artificiale “të bazuar në rrezik”.