MENU
klinika

Kushtet dhe dokumentet që duhen

Anëtarë në KLGJ, Gjykata e Lartë thirrje gjyqtarëve

22.08.2018 - 14:53

Pas shkarkimit të Gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva, Gjykata e Lartë i bën thirrje gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit në rrethe që të aplikojnë për pozicionin e anëtarit te Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Besim Trezhnjeva ishte i vetmi kandidat për të qenë pjesë e KLGJ, por ai nuk i kaloi filtrat e Vetting-ut për shkak të burimeve të pajustifikuara të pasurisë.

Në procesin e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Gjykata e Lartë vepron në zbatim të urdhërimeve kushtetuese e ligjore, e në mënyrë të vecantë të pikës 2 të nenit 147 të Kushtetutës, të pikës 1 të nenit 7 si dhe të pikave 4 dhe 5 të nenit 11 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në të cilët parashikohet se:

Neni 147/2 i Kushtetutës

Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë.

Neni 7/1 i Ligjit nr. 115/2016

Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas raportit të mëposhtëm:

a) tre prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të shkallës së parë jashtë Tiranës;

b) dy prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të apelit. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të apelit jashtë Tiranës;

c) një prej të zgjedhurve është gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Neni 11/4 i Ligjit nr. 115/2016

Në qoftë se nuk ka kandidatë për një ose më shumë nga nivelet e gjyqësorit që duhet të përfaqësohen në Këshillin e Lartë Gjyqësor, sipas përcaktimeve të nenit 147, të Kushtetutës dhe të këtij ligji, Kryetari i Gjykatës së Lartë bën një thirrje të dytë jo më vonë se 3 ditë nga dita kur shpallen kandidaturat në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Në këtë rast afati për paraqitjen e shprehjeve të interesit është 15 ditë nga dita e shpalljes së thirrjes së dytë.
Neni 11/5 i Ligjit nr. 115/2016

Në qoftë se edhe pas thirrjes së dytë nuk paraqiten kandidatë nga shkallët e papërfaqësuara të gjyqësorit, zgjedhja e tyre bëhet me short nga radhët e gjyqtarëve që kanë kandiduar për vendin vakant. Çdo kandidat që përmbush kriteret për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit dhe kriteret për t’u ngritur në detyrë ose për t’u transferuar në shkallët e papërfaqësuara të gjyqësorit, ka të drejtë të kandidojë për vendin vakant përkatës.

Për këtë qëllim, Gjykata e Lartë, në referim të këtyre dispozitave ligjore. rishpall thirrjen e dytë për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për tu zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ.

Kushtet ligjore që duhet të plotësojnë gjyqtarët e interesuar janë të parashikuara në nenin 7 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Sipas përcaktimeve të mësipërme afati i shprehjes së interesit është 15 ditë nga dita e rishpalljes së thirrjes së dytë dhe përfundon me datë 6 Shtator 2018.

Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të nenit 10 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë.

Dorëzimi i tyre duhet të bëhet në njërën prej mënyrave të mëposhtme:

– dorazi, pranë zyrës së protokollit të institucionit të Gjykatës së Lartë (nga ora 08:00-16:00);

ose

– me postë, në adresën postare zyrtare të Gjykatës së Lartë:

[gjykata e lartë, rruga “ibrahim rrugova”, tiranë];

ose

– me postë elektronike, në adresën zyrtare elektronike të Gjykatës së Lartë: [email protected] ( kërkesa dhe dokumentacioni duhet te jenë në format WORD ose PDF).
Kryetarët e gjykatave të marrin masa që ky njoftim t’i bëhet i ditur gjyqtarëve të gjykatës që drejtojnë.

Shënim:

Bashkëlidhur këtij njoftimi, në përputhje me nenet 10/3 dhe 276/3 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, gjenden për t’u plotësuar nga gjyqtarët interesuar formularët e mëposhtëm:

a) deklarata individuale e gjyqtarit që mbështet kandidatin;

b) formulari i vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;

c) formulari për informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor.