Këshilli i Punëve të Jashtme të BE do të mblidhet sot në Bruksel ku ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim do marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Zyrtarë të BE kanë konfirmuar se temat kryesore që do diskutohen janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. BE pritet të përsërisë sërish përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë angazhimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të bllokut.
Të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, kanë mbështetur sanksionet e BE kundër Rusisë, si dhe përshtatja e Serbisë me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme është zbehur. BE ka shprehur shqetësim edhe për kërcënimet në Bosnje e Hercegovinë për rrezikun e integritetit territorial nga lideri i Serbëve Millorad Dodik. Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi pritet që të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit të raporteve dhe zbatimin e të gjitha obligimeve që palët kanë marrë përsipër në këtë proces.