Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka bërë thirrje se të gjithë duhet të bashkohen rreth çështjes së mbrojtjes së popullit serb në Kosovë. Ai gjithashtu ka paralajmëruar se çështjet e brendshme politike nuk duhet të ndikojnë në gatishmërinë e Serbisë për të mbrojtur popullin e saj.
“Duhet të bëjmë gjithçka për të ndihmuar mbijetesën e popullit tonë në Kosovë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se do të kalojmë nëpër beteja të vështira, si politike ashtu edhe të sigurisë. Kurti nuk dëshiron normalizim por përshkallëzim” dhe konflikt.
Daçiç shtoi se është e rëndësishme që serbët të kenë strategjinë e tyre dhe unitetin politik, shkruan Kurir.rs.
Si paraqitet situata në veri të Kosovës?
Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.