Bashkimi Europian i ka alokuar Shqipërisë fondin prej 72 milionë euro, si pjesë e mbështetjes së Unionit për të përballuar pasojat socio-ekonomike të krizës energjetike.
Njoftimi:
Bashkimi Evropian i ka transferuar 72 milionë euro Qeverisë së Shqipërisë si pjesë e mbështetjes së BE-së për të përballuar pasojat socio-ekonomike të krizës energjetike. Këto fonde janë pjesë e Paketës së Mbështetjes së Energjisë, shpallur në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë në vitin 2022 dhe nënshkruar me Qeverinë në muajin mars të vitit 2023 në kuadër të Planit Vjetor të Veprimit IPA 2023.
Kjo paketë mbështet Qeverinë në zbatimin e masave për mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri nga ndikimi i krizës energjetike.
Këto masa të qeverisë përfshijnë:
Subvencionimin e çmimeve të energjisë (mundësisht nën një prag të caktuar mujor konsumi) për familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri për të ofruar norma të ngjashme si përpara krizës energjetike të vitit 2021 (përllogariten të mbulojë rreth 1 milion familje dhe 168 000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme);
Dhënien e ndihmës financiare për 11 200 persona në nevojë.
Përveç kësaj, përmes kësaj pakete mbështeten edhe përpjekjet e qeverisë për të diversifikuar burimet e energjisë përmes investimeve të reja në prodhimin e energjisë nga era dhe dielli, legjislacionit të ri për energjinë e rinovueshme në përputhje me standardet e BE-së dhe skemave mbështetëse për konsumatorët për të instaluar ngrohës uji me energji diellore.
“Vitin e kaluar agresioni rus kundër Ukrainës shkaktoi rritje të mëdha të çmimeve të energjisë në të gjithë botën. Nga kjo paketë mbështetëse e BE-së do të përfitojë drejtpërdrejt të gjithë përdoruesit familjarë të energjisë elektrike dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri duke e ndihmuar kështu qeverinë shqiptare që t’i mbajë çmimet e energjisë elektrike të qëndrueshme dhe që të diversifikojë burimet e energjisë. Ky është një shembull konkret që tregon se si e mbështet BE-ja Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.
Këto fonde janë grante të cilat Shqipëria nuk do të duhet t’i kthejë mbrapsht. Në 2024-ën do të transferohen edhe 8 milionë euro të tjera në pritje të progresit që do të arrihet me zbatimin e masave përkatëse nga qeveria.
Një mbështetje tjetër e BE-së për sektorin e energjisë në Shqipëri përfshin rivitalizimin e hidrocentralit të Fierzës, instalimin e një rrjeti diellor lundrues në Vaun e Dejës, si dhe mbështetjen e masave për efiçencën e energjisë në biznes nëpërmjet programit IPARD.