Thatësira e stinës së pranverës që preku shtetet kryesore eksportuese të vajit të ullirit, si Spanjën dhe Italinë, shtoi mungesën e produktit në Europë dhe forcoi çmimet e shitjes nga 25 deri në 60% në bursat e huaja.
Për rrjedhojë, mungesa e vajit të ullirit në tregun europian ka krijuar bum kërkese nga industrialistët italianë për vajin e ullirit shqiptar.
Nga ky vakum prodhimi po përfitojnë fermerët shqiptarë të cilët, në vitin 2022, u përballën me superprodhim të vajit të ullirit që e magazinuan në shtëpi.
Tashmë, vaji i ullirit të fermerit po rikthehet te pikat e grumbullimit për t’u eksportuar drejt Italisë. Fabrikat e përpunim-grumbullimit pohojnë se çmimi i shitjes është nën kosto.
Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, pohoi për “Monitor” se eksportet e 4-mujorit 2023 janë 4-fishuar krahasuar me eksportet vjetore të vitit 2022.
Ai tha se duke marrë në konsideratë efektet e ndryshimeve klimatike që sollën thatësirën në vendet kryesore prodhuese dhe eksportuese të Europës janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi për nxitjen e eksporteve të ullirit dhe vajit të ullirit në tregun italian dhe europian.
Krahas tyre, Ministria e Bujqësisë, sipas tij, është duke zbatuar strategjinë në mbështetje të fermerëve me subvencione dhe programe të tjera, për uljen e kostos prodhuese dhe rritjen e eksporteve si vlerë e shtuar e ekonomisë.
“Ministrja Krifca, së bashku me homologun e saj italian Francesco Lollobrigida, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për nxitjen e eksporteve të ullirit dhe vajit të ullirit në tregun italian dhe europian.
Këto mekanizma dhe të tjerë u ngritën, duke marrë në konsideratë edhe efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë sjellë thatësirë në Spanjë, Itali dhe Francë, duke krijuar kushtet që të rritet konkurrueshmëria e vajit të ullirit shqiptar.
Edhe shifrat e muajve të parë të këtij viti i kanë dhënë të drejtë kësaj strategjie, pasi shohim se në 4 muajt e parë të 2023 kemi eksportuar mbi 1,258 tonë, ndërsa gjatë vitit 2022 kemi eksportuar 326 tonë.
Ministria, së bashku me ekspertët dhe sektorin privat, po vazhdojnë bashkëpunimin që prodhimi dhe eksporti i vajit të ullirit të jetë një tjetër histori suksesi e bujqësisë shqiptare”, pohon zv.ministri Jaupllari.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2022, prodhimi i vajit të ullirit është 13% më shumë se në vitin 2021. Krahasuar me vitin 2020, prodhimi është shtuar me 42%. Ndërsa në vitin 2021, prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020.
“Statistikat zyrtare publikohen në muajin qershor në INSTAT. Sipas statistikave paraprake që përpunon ministria kemi një prodhim prej 29,2 mijë tonësh vaj ulliri dhe rreth 157,7 mijë tonë ullinj. Ndërkohë që në vitin 2021 kishim 110 mijë tonë ullinj dhe 25,8 mijë tonë vaj ulliri”, pohoi zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari.
Vaji i ullirit shqiptar eksportohet i papërpunuar në Itali dhe me çmim nën kosto
Vaji i ullirit i prodhuar nga fermerët shqiptarë në këtë periudhë po kërkohet kryesisht nga tregtarët në Itali dhe ata në Greqi. Pikat e grumbullimit dhe përpunuesit pohojnë se vaji që eksportohet jashtë, kryesisht në Itali, është rifuxho, që më pas përpunohet jashtë dhe del si markë italiane.
Sipas tyre, Shqipëria nuk po përfiton nga kjo situatë, si vend eksportues i markave të vajit të ullirit, por vetëm për zbrazjen e vajit të ullirit nga shtëpitë e fermerëve.
Në anën tjetër, fermerët po e shesin vajin e ullirit për eksport te pikat e grumbullimit, me çmim 360 deri në 400 lekë për litër. Grumbulluesit e vajit pohojnë se çmimi i shitjes është nën kosto.
“Fermerët po e shesin vajin e ullirit për eksport, pasi ka një bum kërkesash nga operatorët italianë. Ka edhe nga ata fermerë që presin të rritet çmimi që ta shesin më shtrenjtë deri në 500 lekë.
Çmimi i shitjes është nën kosto, por me çmim më të lartë, fermerët nuk e shesin dot për eksport vajin e ullirit. Europianët e shesin më shtrenjtë, sepse mbështeten me subvencione nga BE-ja. Greqia subvencionohet nga shteti 1 euro për litër për vajin e ullirit.
Kjo do të ishte një gjë pozitive nëse do të ndodhte në Shqipëri. Në anën tjetër, nëse fermerët do të vijonin ta mbanin stok vajin e ullirit në shtëpi, pas përfundimit të stinës së verës, vlerat e tij ushqyese do të humbisnin”, pohon Ylli Hajdini, nga kompania prodhuese e vajit të ullirit “S.E.D Borsh”.
Pavarësisht se eksportet janë rifuxho, ku më pas vaji i ullirit shqiptar përpunohet nga të huajt dhe del si markë e tyre, z. Hajdini vlerëson se është tepër pozitive, pasi po ndihmon në shitjen e vajit te fermerët.
Fluksi i eksportit i gjen të paorganizuar grumbulluesit
Vetëm fermerët po përfitojnë nga kërkesa e lartë për eksport të vajit të ullirit shqiptar nga tregtarët italianë, që më pas ripërpunohet si markë i tyre. Kjo situatë i gjeti të paorganizuara pikat e përpunimit dhe grumbullimit.
Për një nga prodhuesit më të mëdhenj të vajit të ullirit, atë të kompanisë “S.E.D Borsh”, z. Ylli Hajdini, situata i ka gjetur të papërgatitura pikat e grumbullimit dhe përpunimit të vajit, pasi gjithmonë ka munguar tregu i shitjes.
Për rrjedhojë, fermerët e magazinuan në shtëpi vajin e përpunuar në 2022 (nëntor-dhjetor), ndërsa aktualisht po e risjellin drejt pikave të grumbullimit që kanë lidhur kontratat për eksportin të vajit rifuxho, me një vlerë të caktuar.
“Fabrikat përpunuese nuk kanë depozita, pasi nuk kanë investuar, duke qenë se ka munguar gjithmonë tregu i shitjes për shitjen e vajit të ullirit. Në këto fabrika, fermerët e dërgojnë ullirin vetëm për ta përpunuar si vaj, të cilin më pas e depozitojnë në shtëpi.
Për rrjedhojë, kërkesa e lartë për eksporte i gjeti të papërgatitura dhe të paorganizuara, pikat e përpunimit. Fermerët po e risjellin vajin te këto fabrika që kanë lidhur kontratat për eksport, kundrejt një tarife ekstra 10 lekë për litër”, thekson z. Hajdini.
Një nga fabrikat e përpunimit të vajit të ullirit në zonën e Tiranës tha për “Monitor” se aktualisht ka një kërkesë të lartë për vaj rifuxho nga italianët. Por sipas tyre, të vetmit që po përfitojnë nga kjo situatë janë fermerët, të cilët po zbrazin vajin e magazinuar në shtëpi. Ndërsa çmimi është nën kosto.
“Ka një kërkesë të lartë për blerje të vajit shqiptar nga tregtarët italianë që më pas e përpunojnë dhe e shesin në treg si markë të tyre. Shtimi i kërkesës është ndikuar nga rritja e çmimit të vajit në bursë, nga goditja e prodhimit për shkak të kushteve klimatike në pranverë.
Fermerët po e shesin vajin me çmim 360 deri në 400 lekë për litër te pikat e grumbullimit që më pas eksportohet drejt Italisë. Ky është çmim nën kosto prodhimi. Kostoja e prodhimit për vajin e ullirit cilësor varion nga 450 deri në 500 lekë për litër”, pohon ai.
Fabrika e përpunimit shton se nuk ka investuar në depozitim me qëllim grumbullimin e vajit që përpunojnë fermerët, për shkak të kostos së lartë nga mungesa e fuqisë punëtore, por edhe për shkak të informalitetit të lartë të fermerëve.
“Pjesa dërrmuese e fermerëve nuk janë të pajisur me NIPT, për këto arsye nuk mund të lëshojnë faturë tatimore. Informaliteti i lartë na penalizon tek investimet për të depozituar vajin, pasi nuk mund të eksportojmë vaj të blerë pa faturë.
Nevojitet që të fuqizohen nga shteti, nëpërmjet mbështetjes me investime, pikat e grumbullimit, si dhe të kontrollohet cilësia. Më tej të lehtësohen procedurat për eksport. Të gjitha këto do të sjellin rritje të eksporteve me çmim më të lartë”, theksoi një nga drejtuesit e fabrikave të përpunimit në zonën e Tiranës.
Por çmimi i njëjtë i blerjes së vajit, si nga fermerët dhe grumbulluesit, nga përpunuesit italianë nuk i ka favorizuar edhe ato pika grumbullimi që kanë investuar te depozitimi. Ylli Hajdini, nga kompania “S.E.D Borshi” pohon se vijon të eksportojë vajin e prodhuar në SHBA, tendencë e ndjekur prej vitesh nga kompania. Eksportet e kompanisë në SHBA këtë vit janë shtuar 10% më shumë se në vitin 2022.
Edhe kompanitë eksportuese të vajit të ullirit janë prekur nga ulja e kursit të këmbimit të Dollarit Amerikan dhe Euros. Sipas përfaqësuesit të kompanisë “S.E.D Borsh” që më së shumti eksporton në SHBA, humbjet nga zhvlerësimi i monedhës së Dollarit arrijnë deri në 10%. Për prodhuesit kjo normë është e lartë, pasi operojnë me fitime të ulëta.
Strategjia e Ministrisë së Bujqësisë për rritjen e eksporteve në vler
Zv.ministri i Bujqësisë, Arian Jaupllari, pohon se tashmë ministria është duke zbatuar një strategji për nxitjen e eksporteve të vajit të ullirit, si vlerë të shtuar të ekonomisë, duke nisur që nga subvencionet me naftë falas për këtë kulturë, dhënien e granteve nga IPARD për ngritjen e pikave të reja të përpunimit të vajit, përfshirjen e fermerëve në skemën e trajnimit për shërbimin ndaj ullishtave, si dhe marrëveshjet e nënshkruara me Italinë për eksportet e vajit.
“Politikat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me ullirin dhe vajin e ullirit janë plotësisht të qarta, për tregtimin e vajit të ullirit përfshi dhe eksportet, bazuar dhe në faktin që kemi prodhim të shtuar gjithnjë e në rritje në vitet e fundit.
Në vendin tonë ka një numër të madh njësish të përpunimit të vajit të ullirit që i afrohen shifrës 400, por eksporti ende është nën potencial pavarësisht prodhimit.
Politika jonë e bashkimit të prodhimit, ashtu siç rezultoi e suksesshme për perimet dhe për grurin, njësoj po e zbatojmë edhe për kulturën ullirit. Kjo politikë konsiston në katër mekanizma zhvillimorë për këtë zinxhir vlere. Fillimisht MBZHR e mbështet fermerin e ullirit, që nga skema kombëtare e vitit 2022, me naftë pa taksa për punimet e mekanizuara.
Instrumenti i dytë për mbështetjen e këtij sektori është puna e madhe që ministria ka bërë me Bashkimin Europian për programin IPARD 3. Me fillimin e këtij programi këtë vit, për herë të parë, subjektet do të mund të aplikojnë për të ngritur stabilimente të përpunimit të vajit të ullirit.
Prioritet sigurisht që do të jenë kultivarët autoktonë të ullirit.
Mekanizmi i tretë që kemi aktivizuar për të fuqizuar këtë kulturë është përfshirja e saj në skemën kombëtare të trajnimit, ku ekspertët e Universitetit Bujqësor të Tiranës asistojnë fermerët me përvojën e fermave model dhe njëkohësisht praktikat më të mira botërore të kultivimit”.
Aktualisht, me anë të një marrëveshje bashkëpunimi, sipas zv.ministrit të Bujqësisë është angazhuar Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dhe donatorët zviceranë të Risi Albania, për të krijuar ofertën e vajit të ullirit në Shqipëri, çka konsiston në identifikimin e të gjithë vajit të ullirit të prodhuar, si dhe matjen e cilësisë së tij.
Sipas tij, në të njëjtën kohë me këtë proces po ndodh dhe aktivizimi i bashkive pilot që do të ndjekin të parat skemën e kooperimit, ato janë Roskoveci, Novosela (Trevllazër), Dimali (Ura-Vajgurore) dhe Belshi.
Kjo skemë do të shtrihet edhe në bashki të tjera, në varësi të studimit që po bëjnë Qendrat e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore për llojin e kultivarëve, pozicionimin e tyre gjeografik dhe potencialin e prodhimit.
“Nuk do të bashkohen ngastrat, por do të kryhen bashkërisht shërbimet që ata kryejnë në ngastrat e tyre, ku shërbimet do të kryhen në të njëjtën kohë me të njëjtën teknologji dhe në bashkërendim të organizuar.
Ministria do të mbështesë nëpërmjet subvencionit të naftës nxitjen e prodhimit, por dhe analizimin e tokës, orientimin për mbrojtjen nga dëmtuesit me produkte të mbrojtjes së bimëve, duke respektuar mungesën.
Do të përcaktohen nga QTTB zonat e përshtatshme për mbjelljen e kultivarëve, zëvendësimin dhe shartimin e tyre.
Ministria do të mbështesë, nëpërmjet IPARD-it, vjeljen e mekanizuar për të rritur retiçencën dhe për të ulur kostot me qëllim prodhimin cilësor, si dhe mjete transporti për mbrojtjen nga ndotja të frutave të ullirit si dhe shkurtimin e kohës nga vjelja në parcelë deri në fabrikë, për ruajtjen e cilësisë së prodhimit të vajit”, nënvizon z. Jaupllari.
Për prodhuesit, rritja e vlerës së eksporteve do të mundësohej vetëm nëse shteti do të mbështesë fermerin në uljen e kostove të prodhimit.
Ylli Hajdini rekomandon se është e domosdoshme që fermerët të vazhdojnë të mbështeten me politikën e subvencionimit të naftës falas.
Gjithashtu, duhet të subvencionohen për pesticidet që përdoren për spërkatjen e ullirit dhe t’u rimbursohet TVSH.
Përparësi për ta mbetet edhe bashkimi i parcelave në mbështetje të krijimit të një marke, e cila do të mundësonte rritjen e eksporteve.
Markat e vajit të ullirit që po eksportohen?
Por gjatë kësaj periudhe, jo e gjithë sasia e vajit të eksportuar ka shkuar për ripërpunim. Nga Federata Bujqësore e Elbasanit, vaji i markës “Valmi” po eksportohet në Greqi me paketim 5 litër, me çmim të leverdishëm.
Agron Çakalli, administrator i Federatës Bujqësore Elbasan (FEB) tha se kërkesa aktuale për eksport është më e lartë në 15 vitet e fundit. Ai shtoi se shitjet e vajit pritet të përfundojnë në qershor, gjë e cila nuk kishte ndodhur më parë.
“Nuk e kam parë këtë interesim për vajin shqiptar prej 15 vitesh dhe kjo ka erdhi për shkak të mungesës së prodhimit në Spanjë dhe Itali. Deri në muajin qershor përfundojmë plotësisht shitjen e vajit të prodhuar në 2022, gjë e cila nuk kishte ndodhur më parë. Çmimi i shitjes është i leverdishëm.
Tashmë të gjithë bashkë duhet të organizohemi që ta kthejmë në sukses edhe për vitin e ardhshëm.”
Prej vitit 2000, në fshatin Shirgjan të Elbasanit, 125 fermerë kanë bashkuar ullishtat. Në fabrikën e federatës prodhojnë vajin e ullirit ekstra i virgjër të markës “VALMI”. 60% e prodhimit eksportohet në 5 shtete, pjesa tjetër tregtohet brenda vendit në HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene).
Z. Çakalli pohoi se kooperimi u mbështet nga fondacionet e huaja dhe nëse nuk do të kishte mbështetje, federata do të mbyllej. F.B.E ka krijuar ciklin e mbyllur të prodhimit. Bërsitë e ullirit shiten si lëndë djegëse për llixhat.
Fermerët e bashkuar të Elbasanit synojnë të rrisin kapacitetin prodhues të vajit deri në 50,000 litra në vitin 2023. Edhe pse është ende herët të flitet për ecurinë e prodhimit të 2023, pasi ullishtat ende nuk kanë zënë fryt, por janë drejt rritjes së luleve, z. Çakalli parashikon që prodhimi i vitit 2023 të jetë normal.
“Nuk pritet që 2023 të ketë një superprodhim, siç ndodhi vjet. Kjo jo për arsyen se fermerët kanë hequr dorë nga shërbimet, por për shkak të tendencës së luhatshme të prodhimit që ka kjo kulturë, si dhe sasisë së prodhimit që pritet të ketë nga ullinjtë e rinj”.
Fermerët e bashkuar të ullishtave në Shirgjan të Elbasanit janë në rrugë të mbarë edhe për rritjen e promovimit të vajit të markës “Valmi” jashtë Shqipërisë.
Administratori i F.E.B, Agron Çakalli, shton se për prodhuesit e vegjël u organizua më herët Panairi në Gjermani, ku me ndihmën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pjesëmarrja në të ishte e frytshme për shkëmbim përvoje.
Ylli Hajdini thotë se rritjes së eksporteve të markës së vajit të ullirit nevojitet t’i paraprihet edhe me investime për marketing, pasi dyqanet e huaja nuk blejnë marka të panjohura të vajit të ullirit, për të cilat nuk e njohin ecurinë e shitjeve.
“Pa investime në marketing, markat shqiptare rrezikojnë të mbeten në raftet e supermarketeve të huaja”, nënvizon z. Hajdini.
Shtohen të mbjellat me ullinj
Sipërfaqja e mbjellë me ullishte në vitin 2021 rezulton të jetë shtuar me 600 ha, krahasuar me atë të vitit 2020 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Zv.ministri Jaupllari nënvizon se nuk ka rënie të numrit të ngastrave të tokës të mbjella me ullinj apo me rrënjë ulliri.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është duke përfunduar kadastrën për regjistrimin e totalit të parcelave të ullishtave.
Kadastra me regjistrimin e parcelave me ullishte sipas zv.ministrit Arian Jaupllari synon:
1.Krijimin e regjistrit dixhital të ullirit në Sistemin e Informacionit Gjeografik (GIS) në të gjithë territorin e vendit;
2.Krijimin e regjistrit dixhital të fidanishteve që prodhojnë dhe tregtojnë fidanë, si dhe fabrikave të përpunimit të ullirit dhe vajit të ullirit për gjithë territorin e vendit;
3.Përcaktimin e zonave të prodhimit cilësor të vajit të ullirit;
4.Menaxhimin e Sektorit të Ullirit sipas modeleve më të përparuara dhe në përshtatje me praktikat që ndiqen në këtë sektor në Bashkimin Europian;
5.Vlerësimin e gjendjes aktuale të ullishtave dhe perspektivën e zhvillimit të saj.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i rrënjëve të reja të ullirit në vitin 2021 është rritur rreth 2% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa rendimenti i prodhimit ka shënuar rënie me 18% në vitin 2021 krahasuar me 2020. Prodhuesit shpjegojnë se rendimenti i ulët dhe prodhimi me kosto të lartë vjen për shkak të copëzimit të lartë të tokës bujqësore dhe mungesës së automatizimit të procesit të prodhimit të kësaj kulture.
Sipas një analize të vitit 2012 për sektorin e ullirit nga Komisioni Europian, Shqipëria nuk mund të prodhojë në vëllime të mjaftueshme, në mënyrë që të jetë një lojtar i rëndësishëm në tregun e BE-së për shkak të fragmentimit ekstrem të pemishteve të ullirit.
Madhësia mesatare e pemishteve, vëren raporti, është 0.2-0.4 hektarë, krahasuar në një madhësi mesatare prej 1.6 hektarësh në Greqi.
Ky copëzim e bën prodhimin joefikas dhe të paaftë për të përfituar nga ekonomia e shkallës.
Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria do të vazhdojë të prodhojë në sasi të vogla vaj ulliri dhe me kosto të lartë. Studimi sheh të përshtatshëm prodhimin e vajit organik të ullirit, i cili favorizon cilësinë mbi volumin.
Rreth dy të tretat e pemishteve të ullirit të Shqipërisë besohet të jenë organike, por vetëm 1% e pemishteve, ose 515 hektarë, janë certifikuar si të tillë. Për më tepër, prodhuesit shqiptarë ballafaqohen me kufizimet rregullatore për të eksportuar në BE.
Agronomët shqiptarë kanë mungesë njohurish për trajtimin e prodhimeve organike me standardet e BE-së. /Monitor