MENU
klinika

"Berisha duhet të tërhiqet dhe..."

“14 maji”/ Ngjela: PD gaboi në 2019 që bojkotoi lokalet!

05.06.2023 - 18:49

Avokati Spartak Ngjela është shprehur se rezultati i zgjedhjeve të 14 majit ishte i pritshëm, pasi sipas tij, PD gaboi në vitin 2019 që nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale.

Komentet Ngjela i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se ish-kryeministri Berisha nuk duhet të punojë për përçarjen e PD-së, por të kontribuojë për bashkimin e kësaj force politike.

Ai tha se Berisha duhet të tërhiqet nga strukturat e PD-së dhe të punojë jashtë tyre për bashkimin e kësaj force politike.

“Disfata e PD pritej. Ata gabuan në 2019 kur nuk hyjnë në zgjedhjet për pushtetin lokal. Nuk ishin zgjedhje njëpartiake, u tërhoqën ata. Domethënë ju thoni se nëse një nga partitë e mëdha nuk hyn në zgjedhje, shkatërrohet Shqipëria? Aksioma ligjore është se abstenimi në Parlament dhe në zgjedhje është në favor të kundërshtarit tënd politik.

Pse ti mendon se nëse abstenove në një ligj themelor në Kuvend, nuk është ligjore dalja e ligjit përmes maxhorancës? Abstenimi është në favor të kundërshtarit. PD u tërhoq nga zgjedhjet dhe ja ku përfundoi. Çdo gabim ka kosti, PS i mori të gjitha bashkitë, jo vetëm që krijoi ekipet e veta, por investoi shumë nëpër qytete, sepse i kishte qytetet e veta.

Atëherë çdo gabim ka kostot e veta. E kuptoni sesa gabim kanë luajtur? Po të kishte hyrë PD në 2019 në zgjedhjet lokale, edhe sikur të fitonte PS, ndarja do të ishte 55 % me 45 % të qyteteve, por jo 100 %. Edhe ai çfarë bëri? Meqë mori 100 % të qyteteve iu drejtua perëndimit për fonde, edhe bëri qytetet ky.

Çfarë ndodhi me të djathtën. PD pati 300 mijë abstenime që nuk morën pjesë në zgjedhje. Kjo ishte revolta e tyre. E kanë moto të djathtët. E gjithë thembra e Akilit është ajo që nuk dolën të merrnin pjesë në zgjedhje. E vuajtën këtë edhe në zgjedhjet e 2021, pasi të gjitha bashkitë dhe komunat ishin të socialistëve.

Edhe përçarja brenda PD-së ka ndikuar. Këtu ishte çështja që Berisha nuk duhet të çajë partinë, duhet të jetë strumbullari për ta bashkuar atë. Ai shkoi dhe u bashkua me Metën. E dini ju sa negativitet ka në radhët e demokratëve Meta? Ka shumë. Politika ka një rregull që vargu i lartë i gabimeve të ndëshkon shumë rëndë dhe nuk dihet kur merr veten.

Berisha nuk kishte sesi ta kishte logon dhe vulën e PD. Lëvizja e Saliut nuk mori dot PD-në, të hynte në Kongresin e saj dhe në forumet e tjera. Ajo doli me një foltore dhe gjeti Metën dhe u futën bashkë në zgjedhje.

Përpjekje pozitive është ndërmarrja e 3 hapave nga Grupi Parlamentar për ringritjen e PD. Por gjithçka është në dorë të Berishës, a do të pranojë ai të bashkohet? Berisha ka vetëm një rrugë, të krijojë parti të re, por edhe po e bëri, do të dëmtojë PD-në. Duhet të tërhiqet dhe të angazhohet jashtë strukturave për bashkimin e PD. Nëse tani nga qershori e deri në shtator ecet me këto ritme, do të kemi një PD të ristrukturuar. Nëse kjo ndodh, PD fiton zgjedhjet.

PD pas ndihmës që i ka dhënë lideri historik i saj, do të bëjë ç’është e mundur që atij t’i hiqet “non grata” në Amerikë. Të gjitha këto riparohen me rrugën që ju thashë unë. Saliu nuk e kupton dot, por e ka në favor. Nëse këta do të rrinë kështu nuk i fitojnë zgjedhjet e 2025”, u shpreh Ngjela.