MENU
klinika

Çfarë shkruan "The Economist" për Albin Kurtin

Pse ky vend është kaq i përçarë?

06.06.2023 - 13:41

Që nga viti 1999, Serbia ka udhëhequr me një administratë paralele në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, duke përfshirë një shërbim të fshehtë policor të sigurisë. Ky shërbim është i përfshirë në rrjete kriminale, të cilat lulëzojnë duke bërë biznes me homologët e tyre kosovaro-shqiptarë.

Më 29 maj 2023, kur një turmë serbe i sulmoi trupat e NATO-s të cilët e ruanin ndërtesën e një komune në Zveçan, në Kosovën veriore, edhe kancelaritë e Evropës dhe Uashingtonit u alarmuan nga kjo ngjarje.

Të paktën 80 persona u plagosën, duke përfshirë 30 paqeruajtës të NATO-s. Të nesërmen, turma ishte zhdukur. Mirëpo fatkeqësia u shmang vetëm për pak: nëse trupat e NATO-s do ta kishin vrarë ndonjë nga serbët, situata do të kthehej shpejt nga një përleshje e keqe në Ballkan në një incident që Rusia dhe robotët e saj do ta kishin shfrytëzuar, duke i akuzuar paqeruajtësit për vrasjen e civilëve të paarmatosur. (Në fakt, personat përgjegjës për sulmin ishin të armatosur dhe pothuajse me siguri i përkisnin një grupi të organizuar). Dhuna në Kosovë mund të përshkallëzohet shpejt.

Pse ky vend është kaq i përçarë dhe çfarë i nxiti trazirat e fundit?
Deri në shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë në vitet 1990, Kosova ishte pjesë e këtij vendi – jo si republikë brenda federatës, por si krahinë e Serbisë. Sot, për këtë arsye, liderët e Serbisë thonë se Kosova nuk ka të drejtë për pavarësinë që e shpalli në vitin 2008. Megjithatë, Serbia nuk mund të bënte asgjë për ta ndaluar shpalljen e pavarësisë. Sundimi i Serbisë mbi Kosovën përfundoi me forcë në vitin 1999 kur NATO ndërhyri për t’i ndaluar luftimet midis forcave serbe të sigurisë dhe guerilëve etnikë shqiptarë. Më pas Kosova u mor nën administrimin e OKB-së.

Popullsia e Kosovës është kryesisht me etni shqiptare. Vetëm rreth 5% e 1.8 milionë banorëve të saj janë serbë; gjysma e tyre jetojnë në veri të vendit, ku pothuajse nuk jeton asnjë shqiptar. Serbët e Kosovës e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Që nga viti 1999, Serbia e ka udhëhequr një administratë paralele në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, duke përfshirë një shërbim të fshehtë policor të sigurisë. Ky shërbim është i përfshirë në rrjete kriminale, të cilat lulëzojnë duke bërë biznes me homologët e tyre kosovaro-shqiptarë.

Në vitin 2013, qeveritë e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje bashkëpunimi. Një pjesë parashikonte dhënien e një forme të autonomisë komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke përfshirë katër sosh në veri. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë. Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim se ky plan “nuk ishte plotësisht në përputhje me frymën e kushtetutës”. Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, bëri fushatë kundër këtij plani.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, SHBA dhe BE-ja i kanë nxitur Serbinë dhe Kosovën të arrijnë një marrëveshje të re. Mirëpo krizat në veri të Kosovës vazhdojnë të shpërthejnë vazhdimisht. Në nëntor serbët e Kosovës dhanë dorëheqje nga të gjitha pozitat zyrtare, duke përfshirë edhe komunat veriore; Shkaku për këtë ishte një mosmarrëveshje për përdorimin e targave serbe të automjeteve, mirëpo kjo ishte vetëm e fundit në një seri mosmarrveshjesh.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në veriun e Kosovë në prill të këtij viti, mirëpo serbët i bojkotuan ato, që do të thotë se kryetarët shqiptarë u zgjodhën nga vetëm disa qindra vota shqiptarësh që jetojnë në rajon. Votimi ishte i ligjshëm, mirëpo kryetarët kanë pak legjitimitet dhe nuk do të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre pa bashkëpunimin e serbëve që punojnë në komuna dhe i udhëheqin shërbimet komunale. Diplomatët perëndimorë i kërkuan kryeministrit Kurti që të mos e provokojë situatën. Megjithatë, Kurti i shpërfilli ato kërkesa, duke dërguar njësi speciale të policisë për ta marrë kontrollin e ndërtesave të komunave më 26 maj, duke provokuar në mënyrë të parashikueshme protesta.

Veprimet e kryeministrit Kurti i kanë zemëruar përkrahësit perëndimorë të Kosovës. Mirëpo Aleksandar Vuçiç, presidenti i Serbisë, nuk është në gjendje ta kapitalizojë situatën. Refuzimi i tij për t’iu bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë i ka humbur atij reputacionin e mirë dhe ai po përballet me demonstrata të mëdha antiqeveritare në Serbi. Partia kryesore serbe e Kosovës është një degë e Partisë së tij Progresive Serbe, mirëpo shumë serbë të Kosovës e kanë humbur besimin në të. Përkundrazi, ata e shohin veten si viktima të lojërave politike të luajtura ndërmjet liderëve serbë dhe shqiptarë të Kosovës. Në muajin mars, nën presionin e Perëndimit, Kurti dhe Vuçiç arritën një marrëveshje të re që përfshinte një zotim të rinovuar për ta formuar një asociacion të komunave serbe të Kosovës. Mirëpo të dy liderët e urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk ka asnjë dëshmi se që të dy kanë shumë vullnet politik që kjo marrëveshje të jetë e qëndrueshme. Periudha e trazirave të shpeshta nuk ka përfunduar ende.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Policia heq një pjesë të telave me gjemba

Situata drejt normalizimit në Zveçan


Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin