Konfindustria ka ngritur disa nga shqetësimet për infrastrukturën rrugore në vendin tonë. Në një njoftim, Konfindustria shprehet se disa nga segmentet rrugore me rëndësi strategjike për ekonominë kombëtare, janë jashtë standardeve dhe rrezikshme për aksidente.
Ndërsa thekson se në rrugët e dhëna me kontrata koncesionare dhe/ose PPP, gjendja paraqitet mjaft e vështirë.
“Mungon përgjegjësia e autoriteteve shtetërore për të bërë të tejdukshme shkaqet problematikave si dhe marrjen e masave përkatëse ndaj shkelësve ligjorë”, vlerëson Konfindustria.
Sipas saj, zgjatjet në kohë të zbatimit të kontratave përmirësuese dhe ndërtuese në rrugë janë goditje e rëndë për financat publike, bizneset, industritë dhe ekonominë kombëtare në tërësi.
Njoftimi i plotë:
Konfindustria shpreh shqetësmin për gjëndjen e vështirë të rrjetit rrugor shqiptar dhe domosdoshmërinë për ndërhyrje sa më të shpejta përmirësuese sidomos në prag të sezonit turistik 2023.
Vlerësohet, se punimet e mirëmbajtjes së sistemit rrugor janë dukshëm të cilësisë së dobët, me shpërdorime masive të financimeve publike dhe shfaqje të dukshme të korrupsionit dhe subjektivizmit nga agjencitë shtetërore përgjegjëse. Në sa më sipër, përvec fondeve të përvitshme të mirëmbajtjes nga buxheti i shtetit, përfshihet edhe shpërdorimi i fondit prej 80 milion $ të projektit të Bankës Botërore për rrugët. Problematikë shqetësuese paraqet edhe marrja në dorëzim e rrugëve të reja të ndërtuara le cilësi të dobët dhe jashtq afateve nga autoritetet përgjegjëse.
Mbështetur në të dhënat e ardhura pranë Konfindustrisë, shumë prej pjesëve të sistemit të rrugëve janë jo vetëm larg standartit më të ulët të pranueshëm, por paraqesin edhe rrezik të qartë për aksidente.
Konfindustria vlerëson, se ndër segmentet rrugore me rëndësi strategjike për ekonominë kombëtare, që janë jashtë standarteve dhe me rrezik të qartë edhe për aksidente jetesore, janë:
– Unaza e Durrësit,
– Rruga Plepa, Durrës-Rrogozhinë,
– Rrugët dytësore të aksit Tiranë – Durrës dhe anasjelltas
– Rruga Milot-Lezhë,
– Rruga e Arbërit për pjesët e përfunduara
– Rruga Ersekë -Leskovik
– Rruga Fushë Krujë-Kamëz
Konfindustria vlerëson, se edhe në rrugët e dhëna me kontrata koncesionare dhe/ose PPP, gjëndja paraqitet mjaft e vështirë dhe mungon përgjegjësia e autoriteteve shteterore për të bërë të tejdukshme shkaqet problematikave si dhe marrjen e masave përkatëse ndaj shkelësve ligjorë. Për katëgorinë në fjale përmenden:
– Vonesat e zgjatura në ndërtimin e Urës mbi Drin në Kukës, pjesë e kontratës koncesionare të Rrugës së Kombit,
– Vonesat e tejzgjatura dhe cilësia mjaft e dobët e Rrugës së Arbërit,
– Vonesat e ndërtimit të rrugës Qafë Thanë-Qafë Plloçë
Konfindustria vlerëson, se zgjatjet në kohë të zbatimit të kontratave përmirësuese dhe ndërtuese në rrugë janë goditje e rëndë për financat publike, bizneset, industritë dhe ekonominë kombëtare në tërësi.