Ka nisur protesta e studentëve në ditën e 11 të saj. Sot protesta ka nisur pak më vonë për shkak të motit të keq.
Në protestë janë bashkuar edhe qytetarë, por edhe banorët e Unazës së Re.
Disa ditë më parë banorët nuk janë lejuar që të bashkohen me studentët, pasi protesta e atyre është kthyer dhe në politike, ndërsa studentët kanë vendosur ta mbajnë “të pastër” nga politika protestën e tyre.
Banorët e Unazës së Re sot po priten me duartrokitje dhe ovacione nga studentët protestues. Ata sot nuk po vijnë vetëm për shtëpitë që do prishen si pasojë e projektit të Unazës, por dhe si prindër të fëmijëve që dërgojnë në universitet.
Pritet t’i bashkohen edhe grupe të tjera shoqërore që janë të pakënaqur me politikat e qeverisë.
Studentët vijojnë të sfidojnë reshjet e shiut para godinës së kryeministrisë. Sot është dita e 11 që ata do të kërkojnë me ngulm plotësimin e pikave të adresuara me shkresë zyrtare tek kryeministria.
Studentët vijojnë të jenë të vendosur se nuk do të ketë asnjë dialog dhe negociata me shefin e ekzekutivit pa i plotësuar më parë të 8 pikat, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga kryeministri.
Gjatë ditës së sotme është theksuar se protesta e studentëve do të jetë mbarëkombëtare dhe për këtë, ekzistojnë disa skenarë të mundshëm se ku mund të protestohet dhe si do të jetë numri i tyre.
Për protestën dhe vendin ka shumë ide, një pjesë e studentëve shprehet se do të protestojnë tek Zogu i Zi, por kjo ide duket se ka rënë poshtë.
Një grup tjetër shprehet se nuk ka punë në rrugë, por kauza e tyre është tek kryeministria. Thirrje mbarëkombëtare ka, por jo organizime të mirëfillta.