MENU
klinika

Prokuroria e Durrësit për BIRN: Çdo veprim i Policisë është kryer...

Nisin hetimet për vdekjen e muxhahedinit në kamp

20.06.2023 - 19:29

Ekzekutimi i një urdhri kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Posaçme në kampin Ashraf të Manzës shkoi keq, duke sjellë përplasje dhe përdorimin e gazit lotsjellës. Përfaqësuesit e MEK pretenduan për një të vrarë, por Ministria e Brendshme e mohon dhe akuzon MEK për shkeljen e marrëveshjes së strehimit në Shqipëri.

Disa dhjetëra forca policie u përballën me rezistencë nga banorët e kampit Ashraf 3 mesditën e së martës në Manëz, kur tentuan të zbatonin një urdhër kontrolli të lëshuar sipas Policisë së Shtetit me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Banorët e kampit Ashraf 3, anëtarë të Organizatës së Popullit Muhaxhidin të Iranit, MEK, të strehuar në Shqipëri përgjatë viteve 2013-2016 për t’u shpëtuar nga persekutimi dhe dhuna në Irak, lëshuan një deklaratë për media në anglisht, në të cilën pretenduan se ishin sulmuar nga policia shqiptare.

Deklarata ekzagjeron se kampi i tyre ishte sulmuar nga 1 mijë forca policie, ndërsa pretendon se një banor humbi jetën dhe 100 të tjerë mbetën të plagosur.

“Si rezultat i sulmit kriminal, një prej anëtarëve të Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK), Z. Ali Mostashari, u vra dhe më shumë se 100 persona u plagosën, pasi policia qëlloi me spraj piperi. Shumë prej tyre janë në gjendje kritike dhe disa u transferuan në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë,” thuhet në deklaratë.

Policia e Shtetit mohoi të kishte ushtruar dhunë, përpos përdorimit të gazit lotsjellës dhe sprajit me piper për të shpërndarë protestuesit dhe vijuar kontrollet.

“Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar,” thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme pas ngjarjes.

Megjithatë, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për shkaqet e vdekjes së banorit të kampit. Në një bisedë me BIRN, drejtuesja e prokurorisë, Anita Jella tha se trupi po i nënshtrohej autopsisë.

Jella shtoi gjithashtu se Prokuroria nuk kishte asnjë të dhënë për të lënduar të tjerë dhe se çdo veprim i policisë ishte kryer nën monitorimin e kamerave.

SPAK ndërkohë nuk ka bërë me dije arsyet për kontrollin dhe as se çfarë rezultoi pas kryerjes së tij.

Ministria e Brendshme nga ana e saj e shpjegoi ndërhyrjen me shkeljen sipas saj të marrëveshjes mes MEK dhe Shqipërisë.

“Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014, kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht, ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen,” thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme.

Avokati i MEK, Genc Gjokutaj tha se nuk ishte lejuar nga Policia që të ishte prezent gjatë operacionit. Gjokutaj tha se policia kishte përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, ndërsa pretendoi se anëtarët e MEK nuk kishin bërë rezistencë ndaj kontrollit.

“Rezultati është një i vdekur, i cili mendojmë që ka vdekur nga gazi lotsjellës dhe goditjet nga sende të forta,” tha Gjokutaj, që lajmëroi se do të ndërmerreshin hapa ligjorë.

Përfaqësues të MEK në vende të ndryshme të Bashkimit Europian protestuan ndërkohë para ambasadave dhe konsullatave të Shqipërisë në Vjenë, Essen, Hagë dhe qytete të tjera. MEK e cilësoi sulmin të ngjashëm me ato që organizata vuante gjatë kohës që ndodhej në Irak.

Organizata e Popullit Muhaxhidin të Iranit është themeluar në vitet ’70 si një opozitë e majtë ndaj regjimit të mullahëve. Organizata u zhvendos në Irak gjatë Luftës Irak – Iran dhe u klasifikua si organizatë terroriste. Ajo u çarmatos pas pushtimit amerikan të Irakut, ndërsa një pjesë e anëtarëve u zhvendosën në Shqipëri me ndërmjetësimin e amerikanëve.

Vendosja e tyre në Shqipëri solli përkeqësim të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit, e cila u tensionua më tej pas arrestimit të një grupi të dyshuar se kishin në plan të sulmonin kampin e MEK.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u ndërprenë përfundimisht verën e shkuar, pasi hakera që dyshohet se janë të lidhura me shërbimet sekrete Iraniane, sulmuan sistemet elektronike të qeverisë shqiptare dhe portalin e-Albania, duke rrjedhur publikisht qindra giga të dhëna personale të shqiptarëve. Hakerat në kanalet e tyre e kanë bërë të qartë se sulmi i tyre lidhej me MEK, ndërsa pretendojnë se ata e kanë sulmuar më herët Iranin./BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vdekja e një personi në kampin e muxhahedinëve në Manzë

Ministri Çuçi: Nuk është prekur askush me dorë. Ai është një i moshuar…

"Tentuan të djegin shkresat"/ Sa policë dhe rezidentë janë dëmtuar

Operacioni në kampin e muxhahedinëve, Rrumbullaku: Kemi sekuestruar 96 njësi kompjuterike

Momenti kur djegin shkresat sekrete dhe salla me kompjuterë

Policia publikon pamjet nga operacioni në kampin e muxhahedinëve