MENU
klinika

Ndryshimet në skemën e Sigurimeve Shoqërore

Kush përjashtohet nga detyrimi për të paguar kontributet

21.06.2023 - 16:18

Qeveria Shqiptare ka miratuar një projektligj për ndryshimet në skemën e Sigurimeve Shoqërore në Vend.

Në projektligjin e miratuar nga qeveria, parashikohet se personat që përjashtohen nga detyrimi për të paguar kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, janë përfituesit e pensionit të pleqërisë, që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat.

“Përfituesve të pensionit të pleqërisë, të cilët, ndërkohë që tërheqin këstin mujor të pensionit janë të punësuar ose të vetëpunësuar në sektorin privat, nuk u njihet periudha e punësimit si periudhë sigurimi, për efekte përfitimi nga ky ligj”, thuhet mes të tjerash në projektligj.

Njoftimi:

P R O J E K T L I GJ PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7703, DATË 11.5.1993, “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 10, “Masa e kontributeve”, bëhen shtesat e mëposhtme:

Pas fjalisë së tretë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Pas datës 1.4.2023, paga maksimale, për efekt kontributi, rritet me të njëjtën masë dhe në të njëjtën kohë me masën që rritet paga minimale në shkallë vendi.”.

Në fund të nenit 10 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Personat e punësuar, me profesion në fushën e teknologjisë së informacionit (IT) dhe të regjistruar në subjektet me aktivitet kryesor në fushën e teknologjisë së informacionit, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi, për këtë kategori paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore në nivelin e pagës minimale mujore në shkallë vendi, me miratimin paraprak të punëmarrësit, të evidentuar në kontratën e punës, pavarësisht pagës bruto të deklaruar.”.

Neni 2

Pas nenit 15, “Pagesa e kontributeve”, shtohet neni 15/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 15/1

Përjashtohen nga detyrimi për të paguar kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore përfituesit e pensionit të pleqërisë, që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat.”.

Neni 3

Pas pikës 4, të nenit 57, “Tërheqja e kësteve të përfitimit”, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Pagesa nuk ndalohet nëse përfituesi i pensionit të pleqërisë punon në sektorin privat si i punësuar apo i vetëpunësuar.”.

Neni 4

Pas nenit 58, “Periudhat e sigurimit”, shtohet neni 58/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 58/1

Përfituesve të pensionit të pleqërisë, të cilët, ndërkohë që tërheqin këstin mujor të pensionit janë të punësuar ose të vetëpunësuar në sektorin privat, nuk u njihet periudha e punësimit si periudhë sigurimi, për efekte përfitimi nga ky ligj.”.

Neni 5

Shkronja “a”, e pikës 1, të nenit 72, “Përbërja dhe emërimi i Këshillit Administrativ”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore përbëhet nga 12 anëtarë, nga të cilët 6 anëtarë, të ndarë, si më poshtë vijon:

Përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për çështjet e sigurimeve shoqërore;
Zëvendësministri që mbulon marrëdhëniet e punës dhe çështjet e sigurimeve shoqërore ose çështjet financiare;
iii. Përfaqësuesi i agjencisë së ngarkuar për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore;

Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë;
Përfaqësuesi i institucionit që mbulon çështjet e sigurimit të kujdesit shëndetësor;
Përfaqësuesi i Institutit të Statistikave.
Përfaqësuesit sipas ministrive apo institucioneve janë titullarët ose personat e deleguar prej tyre.”.

Neni 6

Shkronja “d”, e nenit 75, “Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Përgjithshëm”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“d) Emëron punonjësit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si dhe përcakton rregullat e rekrutimit të personelit. Procedurat përcaktohen në rregulloren e personelit, të miratuar me vendim të Këshillit Administrativ.”.

Neni 7

Pika 2, e nenit 84, “Kërkesa”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Kërkesat, së bashku me dokumentet e përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, paraqiten në portalin qeveritar “e-Albania”, ndërsa dokumentet origjinale ose të njësuara dërgohen me postë.”.

Neni 8

Pika 3, e nenit 85, “Përllogaritjet”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Pensionet caktohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore nëpërmjet zyrave rajonale ose një strukture të posaçme të ngritur për këtë qëllim, brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe dokumenteve të plota të sakta për pension.”.

Neni 9

Pas nenit 87, “Pagesat”, shtohet neni 87/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 87/1

Instituti i Sigurimeve Shoqërore dërgon zyrtarisht në bankë vendimin për bllokimin e llogarisë bankare të pensionistit dhe kthimin në llogarinë e fondit të sigurimeve shoqërore të kësteve të pensionit që u përkasin periudhave pasi pensionisti ka ndërruar jetë dhe që i janë kredituar padrejtësisht në llogari, për shkak të mosçregjistrimit nga Regjistri i Gjendjes Civile.”.

Neni 10

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

LINDITA NIKOLLA

V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7703, DATË 11.5.1993, “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve, 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Plotësimi i kushteve të pensionit

Grupet që përfitojnë nga skema vullnetare!