Ekonomia e Shqipërisë ka treguar elasticitet përballë goditjeve të njëpasnjëshme, megjithatë situata është ende e pasigurt.
Ky është përfundimi në të cilin arriti ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i udhëhequr nga Anke Weber, pas një vizite disaditore në Shqipëri.
“Ekonomia shqiptare ka tejkaluar pritshmëritë në vitin 2022, duke u rritur me 4.8 për qind, si pasojë e kërkesës së fortë për konsum, flukseve hyrëse të turizmit dhe aktivitetit të ndërtimit. Rritja pritet të zbutet këtë vit në rreth 3 për qind, si rezultat i rritjes së ngadaltë të partnerëve tregtarë dhe kushteve më të shtrënguara financiare. Besimi i qëndrueshëm i konsumatorëve dhe turizmi do të mbështesin aktivitetin e këtij viti. Inflacioni ka qenë gradualisht në rënie, por mbetet mbi objektivin e Bankës Qendrore”, tha Anke Weber.
Mirëpo ecuria e ekonomisë shqiptare mund të përkeqësohet në vazhdim, sipas FMN-së, nëse lufta përshkallëzohet dhe rikthehet kriza e energjisë.
“Në perspektivë, kemi ende pasiguri të lartë. Një përshkallëzim i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe moti i pafavorshëm që ndikon në prodhimin e energjisë elektrike mund të rikthejnë goditjet e furnizimit. Nga ana pozitive, ekonomia mund të rezultojë përsëri më elastike se sa pritej, ndihmuar nga një vrull i fortë në turizëm”, u shpreh Anke Weber.
Misioni i FMN-së vlerësoi si të duhur ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për të rikthyer në objektivin prej 3% inflacionin.