Shërbimet policore të Komisariateve Lezhë dhe Kurbin, të pajisura edhe me dronë, kanë vijuar kontrollet intensive në terren dhe nga ajri, me prioritet zonat e thella malore, me risk përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar që ka si objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Nga këto kontrolle u finalizua faza e 20-të e megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, si rezultat i së cilës, janë gjetur të kultivuara në zona të pyllëzuara, në 4 fshatra të rretheve Lezhë e Kurbin, në koordinata të ndryshme, në total 5490 bimë narkotike cannabis sativa.
Asgjësohen 5,490 bimë kanabis në Lezhë, policia zbulon edhe 1,200 gropa
Konkretisht, në rrethin Lezhë:
-në fshatin Gjobardhaj, njësia administrative Ungrej, u gjetën të kultivuara 1507 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa;
-në fshatin Ungrej, njësia administrative Ungrej, në koordinata të ndryshme, u gjetën të kultivuara 1225 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa si dhe 1200 gropa të hapura gati për kultivim;
-në fshatin Fregen, njësia administrative Ungrej, në koordinata të ndryshme, u gjetën të kultivuara 2600 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa;
Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet policore edhe në territorin e rrethit Kurbin, në fshatin Vinjoll, njësia administrative Milot, u gjetën të kultivuara 158 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.