MENU
klinika

Zbulohet arsyeja e vizitës

Lajçak, në Kosovë pas masave ndëshkuese të BE-së

04.07.2023 - 09:46

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën viziton Kosovën, në përpjekje për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Lajçak më pas do të qëndrojë edhe në Serbi, në tentim për të bindur palët që përveç se të shtensionojnë situatën, t’i kthehen edhe tryezës së dialogut.

Në Prishtinë është konfirmuar se Lajçak pasditen e së martës do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ende nuk ka konfirmim për një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Është pjesë përbërëse e punës së të dërguarit të posaçëm që të udhëtojë për t’u takuar me partnerët në terren”, tha një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar vizitën e Lajçakut.

Ai shtoi se kjo vizitë në Kosovë është pjesë e punës për “lëvizjen e dialogut përpara”.

BE-ja vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e menjëhershëm të tensioneve dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetëson Burkseli.

Blloku evropian i ka paraqitur disa kërkesa Kosovës sa i përket situatës në veri. Brukseli po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.

Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Që kur janë rritur tensionet në veri në fund të majit, nuk ka pasur takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar në Bruksel disa “takime krize” me zyrtarët evropianë, por nuk kanë mbajtur takime dypalëshe. Takimet me ndërmjetësit e dialogut, megjithatë kanë përfunduar pa rezultate konkrete.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe nisën kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore. /REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga pezullimi i vizitave bilaterale, te ndalimi i fondeve nga IPA

BE: Qeverisë së Kosovës ia kemi komunikuar masat ndëshkuese


Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin