Kosova ka blerë dronë Bayraktar. Lajmin e dha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një kohë kur ajo përballet me trazira në Veri. Në një postim në Facebook, kryeministri Albin Kurti tha se shpenzimet e fundit të sigurisë po e bëjnë vendin më të sigurt.
Por ai nuk e bëri me dije numrin apo koston e dronëve, madje nuk tha as për çfarë do të përdoren. Dronët Bayraktar kanë fituar popullaritet global pasi u përdorën nga ushtria e Ukrainës kundër forcave ruse.
“Kosova tani është edhe më e sigurt dhe gjithmonë krenare,”- tha Kurti, duke shtuar se qeveria e tij në dy vitet e fundit e ka rritur numrin e trupave me 80% dhe buxhetin e mbrojtjes me më shumë se 100%.
Kosova synon të anëtarësohet në NATO, por katër nga anëtarët e aleancës ende nuk e njohin pavarësinë e saj të vitit 2008 nga Serbia./Reuters