Kryetari i Komitetit të Përbashkët Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, eurodeputeti i Demokracisë së Re, Manolis Kefalogiannis, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. ekathimerini shkruan se ditën e nesërme ai do të kryesojë një mbledhje të Komitetit ku do të diskutohet për rrugën e anëtarësimit të vendit në BE. Më pas ai do të vizitojë qytetin e Himarës dhe kryetarin e zgjedhur të saj, Fredi Beleri, i cili po mbahet në paraburgim, për tu informuar për çështjen e pronave dhe shpronësimet e pronave të banorëve të bashkisë Himarë.
Në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët BE-Shqipëri marrin pjesë 28 eurodeputetë, si dhe 28 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Çështjet që do të diskutohen kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri, lirinë e medias, luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe mbrojtjen e minoriteteve. Anëtarët e Komitetit të Përbashkët do të kenë takime me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, ministrin e Brendshëm të vendit, përfaqësues të partive opozitare dhe ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së në Shqipëri.
Sipas një njoftimi lidhur me vizitën, pasi Parlamenti Europian votoi amendamentin për paraburgimin e padrejtë në vazhdim të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, çështja do të mbizotërojë në takimin e Kefalogiannis me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë dhe zyrtarë të qeveria shqiptare.
“Partia Popullore Evropiane, me mbështetjen e plotë të eurodeputetëve të ND-së dhe ndihmën e Manfred Weber (kryetar i komisionit parlamentar të PPE-së në PE dhe kryetar i PPE-së), miratoi amendamentin e Manolis Kefalogiannis për lirimin e menjëhershëm të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri dhe për mbrojtjen e pronave të grekëve të Himarës,” thuhet në njoftim.