Cilat janë rrugët e reja të shndërrimit të protestës në zhvillim të ri.. sipas modelit të dhjetorit 90’, por dhe modeleve europiane ?
Tashmë është krejt e qartë se forca që i shtyn grupet përfaqësuese të studentëve për të mos u takuar me kryeministrin është më e madhe se tërheqja që ai ushtron mbi ta për të kundërtën.
Frika që kanë grupet prijëse të studentëve se mos i japin pikë nga njëri tjetrit, ndikimi i partive të opozitës për të ulur nokaut kryeministrin, është në themel të kësaj situate, ku nuk duket zgjidhja në horizont.
Rama përveç se don ta përdorë protestën për të rishpikur veten, për të rritur popullaritetin e tij, e di se nëse dorëzohet, do të vijojë një listë tjetër kërkesash pa fund, deri në dorëzimin e tij eventual.
Protestuesit ndërkohë (më të fortit mes tyre) e dinë se duhet rezistuar ndërsa ka vullnet, megjithëse afrimi i festave supozohet se do të ulë intensitetin, vrullin, motivimin në këtë luftë nervash. Pa folur që ashtu si paralajmërojnë skeptikët, Rama vërtet mund të bëjë për vete (të blejë) bërthamën më rezistente, apo nistore të protestës, që udhëhiqet nga disa shpirtëra njëherësh : të majtë dhe të djathtë, por që aversioni ndaj Ramës i mban bashkë.
Ka diçka më të mirë sesa kjo gjendje pa zgjidhje ku asnjëra palë nuk don të dorëzohet. Ky skenar i gjasishëm do ishte risi për vendin për disa arsye, por deja vu për disa të tjera. Por sigurisht një cilësi dhe sasi e re. Ja cili do të ishte skenari i ri.
A nuk e quajnë njerëzit e opozitës, pse jo dhe të tjerët për të motivuar studentët me cilësorin « dhjetori i dytë », protestën e studentëve ?
Që të jetë vërtet « dhjetori i dytë » duhet të sjellë cilësi politike, pra lëvizje a parti, shndërrim të madh politik. Edhe këtë shndërrim ky angazhim studentor duhet ta bëjë edhe pa patur përreth aradhat e vogla të protestuesve partiakë që ngjajnë karikaturalë përballë protestës së parë, të pablerë, të pafinancuar të studentëve, pavarësisht se gojët e liga konspirativiste, përfshirë edhe Ramën, flasin për ndërhyrje të fqinjëve në një protestë si kjo.
Ka një skenar i cili ndonëse e bën dhjetorin e dytë të ngjashëm me të parin për nga rezultati, megjithatë për nga metodologjia, është risi absolute.
Lëvizja si e kanë përshkruar, është e përbërë nga disa shpirtëra ideologjikë dhe po afirmon lidership të ri, figura të reja publike (nuk po i referohem atyre që vijnë nga forumet rinore tradicionale). Individët në fjalë arrijnë të gjejnë një kompromis minimal për të ruajtur protestën, boshtin e kërkesave, apo një minimum taktik, mirëpo hendeku i thellë ideologjik megjithatë i pengon.
A nuk qeveris në Itali, ekstremi i majtë me atë të djathtë, madje të djathtë regjionalist ?
Është krejt e qartë se lëvizja studentore ka një problem demokracie megjithatë.
Si merren vendimet në kushtet që përmendëm dhe masivitetin e studentëve ? Si ruhet përfaqësueshmëria e tyre dhe e të gjithëve ?
Pikërisht këtu qëndron një zgjidhje që ngjan metodologjike, por në fakt do të prodhonte cilësi të re politike.
Lëvizja- po e quajmë për konvencion si të tillë, ndonëse do duhet menduar që nuk ka unitet, lidership unik, demokraci të brendshme, qartësi programore,- mund t’i fitojë këto elementë, nëse zgjedh një metodë të re votimi, konsiderimi të vullnetit të studentëve.
Organizatorët nëse kanë kurajë, nëse nuk i tremben ballafaqimit me vullnetin e shumicës, nëse kanë dije, do duhet të zgjedhin pikërisht modelin organizativ të Lëvizjes 5 yjet në Itali.
Anëtarësim online të gjithë pjesëmarrësve. Krijim celulash të tyre sipas fakulteteve, apo afërsisë gjeografike, dhe ka aplikacione që e mundësojnë këtë sipas shembullit italian apo pse jo dhe amerikan të meetup-eve. Edhe një program i ri mund të sajohet, megjithë eklektizmin ideologjik.
Programi mund të votohet, lidershipi mund të votohet, sjellja ndaj qeverisë mund të votohet, negociatat mud të votohen. Online. Pajtimi i shpirtërave ideologjikë mund të bëhet. Shembulli i qeverisjes italiane, ndonëse nuk është më i miri, tregon se ekstremet takohen.
Kjo rrugë duhet provuar dhe është e shëndetshme të paktën përkohësisht. Ajo e kapërcen modelin ekzistues të partive, të protestimit të tyre, të ndarjeve ideologjike, të shumëçkaje.
Është dhjetor i dytë sepse nisi si studentore, por mund të përfundojë si cilësi (parti) politike.