Problematikat në tregun e punës po ndikojnë negativisht në bujqësi. Shumë fermerë që janë afër zonave urbane, të cilët kishin ferma të vogla me 2-3 krerë lope apo të imta, i kanë shitur kafshët dhe kanë gjetur punë në qytet.
“Me punën në ndërtim marr 60 mijë lekë në muaj. Me qumështin e tre lopëve as ushqimin e tyre nuk siguroja” – tha Ismaili, i cili gjithë jetën është marrë me blegtorinë dhe banon në fshatrat e Dajtit.
Më parë, ai ua shiste qumështin disa familjeve në Tiranë, por tani më mirë punon në ndërtim, në një kompani që i ka siguruar edhe transportin. Zgjerimi me ritme të shpejta i sektorit të ndërtimit dhe industrisë vitet e fundit, e kombinuar me emigracionin e lartë jashtë vendit, e ka nxitur më tej braktisjen e fshatit.
Në shumicën e fshatrave tani jetojnë mosha të thyera, mbi 60 vjeç. Në vitin 2020, Shqipëria kishte popullsi totale prej 2,845,955 banorësh, ku 1,429,088 janë gra, ndërsa popullsia rurale në të njëjtin vit nuk llogaritet më shumë se 964,791 banorë.
Përqindja e popullsisë rurale ka rënë vazhdimisht nga 42,57% në vitin 2015 në 38,89% në vitin 2020, e shkaktuar nga migrimi jashtë dhe përgjithësisht nivelet më të ulëta të lindjeve. Emigrantët tërhiqen kryesisht nga zonat urbane, pasi shkalla e urbanizimit është në rritje, pavarësisht një rënie të përgjithshme e popullsisë. Sipas parashikimeve, popullsia shqiptare do të ulet më tej në vitin 2031 krahasuar me vitin 2020 dhe reduktimi do të jetë më i thellë në zonat rurale, duke zgjeruar hendekun e madh social-ekonomik midis zonave urbane dhe rurale pa kundërmasa. Cilësia e jetës në fshat është më e ulët dhe njerëzit që jetojnë në këto zona janë më afër pragut të varfërisë.
Mungesa dhe cilësia e dobët e infrastrukturës rurale dhe shërbimeve bazë janë ende dukshëm më të ulëta në zonat rurale, dhe veçanërisht në zonat e thella dhe malore.
Vazhdimisht furnizimi me energji elektrike është i paqëndrueshëm, sisteme e ujërave të zeza dhe kanalizimeve janë të pasigurta, nuk kryhet grumbullimi i mbetjeve, rrjeti rrugor rajonal dhe rural ose konektiviteti digjital janë shumë dobët. Si rrjedhojë e këtij hendeku, popullsia në fshat do të vijë në rënie edhe në vitet në vijim dhe do të sjellë rënie drastike edhe në numrin e fermave blegtorale të vogla dhe të mesme. Blegtoria nuk është një punë me sezon, ndryshe nga bizneset e fermave në fushë dhe në serra. Bagëtitë janë fabrika konsumi të ushqimit në çdo sekondë pa pushim, por prodhimi nuk është i njëjtë.
Një studim i fundit i IOM, pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara vuri në dukje se gjatë vitit 2017-2021, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin bujqësor është ulur në katër vitet e fundit.
Në të kundërt, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin jobujqësor ka arritur në më shumë se 70%. Gjithashtu, përqindja e femrave të punësuara në sektorin bujqësor është ulur në katër vitet e fundit, edhe pse ulja ka qenë me ritëm më të ulët krahasuar me meshkujt. Nga ana tjetër, përqindja e femrave të punësuara në sektorin jobujqësor u rrit, nga 57% në vitin 2017, në 60% në vitin 2021. Një prirje e re që nuk është e zakontë vetëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në të gjitha vendet e BE-së fqinje me Lindjen e Afërt, është rritja e përqindjes së punonjësve të angazhuar në veprimtari industriale.
Në rastin e Shqipërisë, raportohen lëvizje ndërsektorialë të popullsisë mashkullore të punësuar, nga sektori i shërbimeve, në sektorin industrial.
Të dhënat zyrtare raportojnë se prirja te gratë është e kundërt. Një vëzhgim më i detajuar konfirmon se këto lëvizje janë të përqendruara në sektorin e prodhimit, pasi punësimi në ndërtim jo vetëm mbizotërohet nga burrat, por përqindja e tij në raport me totalin e veprimtarive jobujqësore u ul gjatë ciklit të kaluar ekonomik. Prej disa vitesh, studimet sektoriale vazhdojnë të raportojnë mungesa në fuqinë punëtore në bujqësi, si dhe në ndërtim dhe në prodhim, i cili ka intensitet punësimi.
Për një vend si Shqipëria, e integruar gjeografikisht në kontinentin europian, kushti i dobishmërisë për t’u larguar nga fshati nuk përfshin vetëm sektorin jobujqësor, por edhe të gjitha ato vende pune që u vihen në dispozicion shqiptarëve në BE, numri i të cilave u rrit./monitor