Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë një përditësim të të dhënave për investimet e huaja në Shqipëri për vitin 2023, ku rendit disa nga problematikat që hasen në vendin tonë.
Një ndër problematikat kryesore sipas DASH, që ndikon në klimën e investimeve në vendin tonë, është korrupsioni.
Sipas DASH, ka ende punë për t’u bërë në këtë drejtim, pasi Shqipëria cilësohet nga investitorët e huaj një vend i vështirë për të bërë biznes.
Rastet e korrupsionit në Shqipëri sipas DASH, janë duke nisur që nga sektori publik, te prokurimet publike, konkurrenca e pandershme, deri edhe te korrupsioni i lartë qeveritar.
“Investitorët e huaj e cilësojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm duke përfshirë sektorin publik, gjyqësorin, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet frekuente të legjislacionit fiskal si dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për të bërë biznes në Shqipëri.
Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Investitorët raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme.
Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave joformale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raportin e DASH.
Gjithashtu në raport thuhet se Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë progres në kufizimin e korrupsionit të vogël duke dixhitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
“Si një vend në zhvillim, Shqipëria ofron potencial të madh të pashfrytëzuar për investime të huaja në shumë sektorë duke përfshirë energjinë, turizmin, kujdesin shëndetësor, bujqësinë, naftën dhe minierat, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK). Në dekadën e fundit, Shqipëria ka tërhequr nivele më të mëdha të investimeve të huaja direkte”, thuhet më tej në raportin e DASH.
Investimet janë të përqendruara në industritë nxjerrëse dhe përpunuese, pasuri të paluajtshme, sektorin e energjisë, bankat dhe sigurimet, dhe TIK. Zvicër, Holandë, Kanada, Itali, Turqi, Austri, Bullgari, dhe Franca janë burimet më të mëdha të IHD-ve. Aksionet e IHD-ve nga Shtetet e Bashkuara zënë një pjesë të vogël por në rritje, thuhet më tej në raport. Në raport vlerësohet se Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë progres në kufizimin e korrupsionit të vogël duke dixhitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.