Fabian Salvioli, raportues Special i Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës dhe drejtësisë, pas vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi ka paralajmëruar rrezikun e një konflikti të ri për shkak të diskursit aktual në Prishtinë dhe Beograd.
“Raportuesi special është i alarmuar me përdorimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe Serbi të narracioneve etnocentrike, nacionaliste, të njëanshme ose jo të plota për konfliktin, në politikë, media, kulturë dhe arsim. Manipulimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe përforcimi i njëkohshëm i ndjenjave nacionaliste dhe etnike për arsye politike, edhe nëse duket se siguron përfitim politik jetëshkurtër për mbështetësit dhe autorët e tij, nuk është vetëm i paligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, por edhe i afatshkurtër”, thuhet në raportin e publikuar nga media boshnjake Oslobodenje.
“Këto pamje, të pahijshme dhe mbi të gjitha aktet e papërgjegjësisë publike mund të çojnë në përsëritjen e dhunës nga e kaluara”. Po ashtu, Salvioli vlerësoi mungon edhe bashkëpunimi mes dy vendeve në shkëmbimin e informacionit për personat e pagjetur nga vitet e fundit.“Familjet e personave të zhdukur janë kthyer në peng të interesave politike, por edhe të mosgatishmërisë së autoriteteve për të marrë masat e nevojshme për t’i dhënë fund vuajtjeve të tyre”, thuhet në raport.
Në raport potencohet se sikur vendimmarrësit në Serbi dhe Kosovë “kanë nisur një garë negative” në programet e tyre të kërkimit të së vërtetës dhe përgjegjësisë penale. “Kjo garë shkatërruese shkel të drejtat e viktimave, pengon kohezionin social, minon ndërtimin e besimit institucional dhe në fund të fundit, parandalon paqen e qëndrueshme”.
“Shumë viktima në Serbi dhe në një masë më të vogël, por ende të konsiderueshme në Kosovë, nuk morën kompensim adekuat, për shkak të mangësive në kornizat përkatëse ligjore që nuk njohin dhe nuk ofrojnë të drejta dhe përfitime të barabarta për të gjitha kategoritë e viktimave. Në Kosovë, stigmatizimi i viktimave të dhunës seksuale pengon dukshëm qasjen në të drejta dhe kompensim për këtë kategori viktimash dhe kërkon vëmendje urgjente”.
Për këtë raport do të diskutohet në seancat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të cilat do të mbahen nga 11 shtatori deri më 6 tetor të këtij viti.