Khloé Kardashian është treguar shumë e hapur në lidhje me problemet me gjumin dhe disa nga zgjidhjet që ka gjetur për këtë problem. Ndër të tjera, ajo pranoi se e konsumon kanabisin, por edhe e ka zët në të njëjtën kohë.
“Është e vështirë për mua të fle. E bëj telefonin silent dhe e kthej nga ana tjetër që drita të mos më bezdisë. Pi çaj dhe mund të them se tymos kanabis. Në fakt, e kam inat kanabisin, e urrej ndjesinë që më lë, por nisa ta përdorja gjatë natës dhe më vendoste në gjumë”, tha Khloé dhe pranoi se ndonëse bëhet paranojake, sërish kjo e ndihmon për një gjumë më të mirë.
Por, le të flasim pak për efektet e kanabisit për një gjumë më të mirë. Studimet e kryera janë ende paksa të limituara dhe subjektive, duke e bërë të paqartë nëse efekti është placebo*, apo afatgjatë.
Efekti placebo – Ndodh kur shëndeti fizik ose mendor i një personi duket se përmirësohet pas marrjes së një trajtimi mjekësor. Placebo i referohet një trajtimi që duket real, por është krijuar për të mos pasur asnjë përfitim terapeutik.
Sipas një studimi të kryer në Kanada, përdorimi i kanabisit mjekësor është rritur, për shkak se ndihmon me pagjumësinë dhe sfidat për një gjumë më të mirë. Kërkimet e shkencëtarëve kanë treguar se kanabisi ka disa efekte pozitive te pacientët që vuajnë nga pagjumësia dhe se i ndihmon ata të bëjnë një gjumë më të rehatshëm dhe të thellë.
Pacientë të ndryshëm raportuan se përdornin kanabis mjekësor (ose jo) për të trajtuar simptoma të ndryshme, duke nisur që nga çrregullimi primar i gjumit (insomnia), deri tek ato dytësore, që lidhen me gjendje psikiatrike, ose fizike, si për shembull: depresion, ankth, apo dhimbje kronike.
Një tjetër avantazh i kanabisit mjekësor është se nuk ka efekte anësore të padëshiruara. Ilaçet që përdoren për pagjumësinë sjellin një sërë efektesh: marramendje, mungesë përqendrimi, lodhje, shtim në peshë, si dhe mund të krijojnë varësi. Për këtë, shumë njerëz e përdorin kanabisin mjekësor për të shmangur këto efekte të padëshiruara.
Duke qenë se kanabisi përmban THC dhe CBD, kanabinoide të cilat kanë ngjallur shumë interes në botën farmaceutike, pasi THC vepron në receptorët e sistemit nervor qendror dhe shton dëshirën për gjumë, si dhe rrit kohën e gjumit. Nga ana tjetër, CBD, ka një efekt stimulues dhe qetësues, duke rritur gjithashtu kohën e gjumit dhe duke ulur në të njëjtën kohë shpeshtësinë e zgjimit gjatë natës. Sigurisht, të dy përbërësit duhet të merren me doza specifike, në mënyrë që të kenë sa më shumë efekt.
THC është elementi që shkakton edhe gjendjen euforike të krijuar nga përdorimi i kanabisit, ndërsa CBD ka efekte thjesht qetësuese.
Bazuar në kërkimet e “Health Canada” në vitin 2021, si dhe nga studimet e ndryshme, THC dhe CBD, vetëm apo të kombinuara, përmirësojnë rezultatet e gjumit. Sipas kërkimit të kryer, ku u studiuan mbi 50 pacientë, të cilët përdorën kanabisin mjekësor për të përmirësuar cilësinë e gjumit, u raportuan këto rezultate:
27 pacientë raportuan përmirësim të ndjeshëm në gjumin e tyre
15 e pacientëve ishin në gjendje që të zëvendësonin krejtësisht mjekimin e mëparshëm me kanabisin mjekësor
8 pacientë raportuan ndonjë efekt negativ nga përdorimi i kanabisit mjekësor, por edhe këto pasoja ishin të menaxhueshme.
Por, siç e përmendëm edhe më sipër, nuk dihet ende nëse efekti është placebo dhe se si ndikon përdorimi i kanabisit në vijim. Në disa raste, pacientët janë përshtatur me rutinën, ndërsa në disa raste të tjera, janë detyruar të shtojnë dozën në mënyrë progresive.
Gjithashtu, besohet se njerëzit që përdorin kanabis nuk pushojnë realisht, pasi nuk kalojnë në fazën REM. Kjo është edhe arsyeja pse këta persona nuk para shohin ëndrra.
Pra, si përfundim, përdorimi i kanabisit te pacientët që kanë çrregullime me gjumin sjell disa përfitime, duke përmirësuar cilësinë e gjumit, si dhe duke ulur përdorimin e ilaçeve që merren me rekomandim mjekësor. Gjithsesi, sërish, provat dhe testimet janë të cunguara dhe efektet mund të jenë edhe subjektive, ndaj nëse zgjidhni ta përdorni dhe vini re se keni efekte negative, mund të konsultoheni me mjekë specialistë, apo ta ndërprisni përdorimin.