MENU
klinika

"Sa lekë den aj, se maron për lek..."

Lirimi nga burgu i Behar Bajrit, ja roli i prokurorit Xhevahir Lita

05.08.2023 - 09:13

Në dosjen e SPAK janë zbradhur bisedat e prokurorit Xhevahir Lita, i cili gjatë kohës që ka qenë me detyrë në prokurorinë e Shkodrës, akuzohet se bashkëpunonte me Behar Bajrin, duke i mbyllur çështje dhe duke e informuar për gjithçka ndodhte në prokurori.

Në një përgjim, rezulton se Lita e ka ndihmuar Behar Bajrin për ta liruar nga paraburgimi, në këmbim të përfitimit të paligjshëm të shumave monetare. Pikërisht pas daljes nga qelia dyshohet se ka kryer vrasjen e shtetasit Gjin Ndoji më 09.08.2020.

Ndërkohë Behar Bajri nga qelia e paraburgimit “Jordan Misja” në Tiranë përmes SkyECC komunikonte me Pëllumb Gjokën dhe i kërkonte që të dalë sa më shpejt nga paraburgimi. Madje është gati të ofrojë shuma të mëdha parash në këmbim të zbutjes së masës së sigurisë.

Më 10 shkurt 2020 Behar Bajri komunikon me Pëllumb Gjokën dhe i thotë se do ishte mirë që dosja të hetohej nga “Xhev” ku dyshohet se ii referohet Xhevahir Litës dhe se është i gatshëm të paguajë lidhur me zgjidhjen e çështjes për lirimin e tij nga paraburgimi.

Ora 13:55 e 10 shkurtit Behar Bajri i shkruan Pëllumb Gjokës: “Me marrë xhev ishte me ken ma mirë 30 afroji”
Ora 14:16 po të 10 shkurtit Bajri shkruan “Veç të kryjmë punë… Mezi shpres me dal..Se kaq mllef kam…. Aj shoku mtha për nji javë po ti nap po ndaq mas mem shtrëngu në fund të muajit po ti jap 300… Për ca të jetë me pagu paguaj.. Po për punë të vëllasë qa flitet andej.. për vëllanë tim në Itali.

“Pasi është kontaktuar nga Pëllumb Gjoka, ka ndërmarrë veprimet aktive duke përdorur kompetencat që i jep ligji duke ndikuar dhe krijuar të gjitha mundësitë për lirimin e Behar Bajrit. Më 29 qershor 2020 dhe më pas ka ndryshuar dhe akuzat duke i zbutur ato”- thuhet në dosje, siguruar nga BallkanWeb.

Në një moment të dosjes, Xhevahir Lita njofton Bajrin se Astmer Bilali ishte shpallur në kërkim; “Ka dalë në kërkim, me Shehu….se po ta kapin…deri në tetor kryn punë…”. Ndërkohë më datë 28.07.2020, prokurori njofton Bajrin që të shkojë te një lokal ku kishin drekuar së bashku: Kam lënë syzet aty…ku hëngra buk poshtë…”.

Po ashtu një tjetër përgjim që e implikon prokurorin është ai i datës 13.10.2020, ku flet me Bajrin për një dosje të ‘Drinit’ që do ta mbyllë ai. “Desha ta mbyll unë se mund të transferohem dhe ngel pastaj e nuk ta bën kush. Problemi është më shumë te ai që është në Itali se ai ka bërë aplikimin…se ty po ta kaloj…nuk është punë telefoni…duhet me dhënë deklarim…të shikojë mundësinë që të vij…”. Ndërkohë Bajri ia kthen; Nesër do e marri në telefon dikush dhe po ja pret biletën ‘Drinit’.

Më datë 17.10.202 Prokurorit Lita i ka ardhur një dosje ne emër të ‘Gent Vaso’, ndërsa pyeste Bajrin për faktin nëse e njihte apo jo. Ky i fundit i kthen përgjigje, ndërsa i sugjeron dhe se si të veprojë, duke ia kthyer masën e sigurimit ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’. Dyshohet se biseda e bërë nga Behar Bajri (Brajoviq) nënkupton që ofrohen para në rast të caktimit të masës së sigurimit ‘detyrim paraqitje’, ndërsa i sugjeron prokurorit që të takohet me vëllain e Vasos. Më pas prokurori i dërgon një mesazh Bajrit për rastin e ‘Drinit’. “Edhe këtë të atij përtej mos ta lë mbas dore t’i vihemi e ta bëjmë se nuk është e lehtë….ti pyesim njerëzit dhe të bëjmë siç duhet..se mund të lëviz pz dhe nuk e bën kush…”.

Më datë 19.10.2020 Bajri i dërgon një mesazh Litës, ku i kujton se do të marrë para për rastin e ‘Vasos’; “Kena me të dhan për pun të tij meja kry detyrim paraqitje. Më tha ky shoku si ike thon me dit caktohet gjyqi”. Ndërkohë, Lita i kthen përgjigje; “Ej mos i bëj këto gabime me mua…mos më thuaj ca këna me të dhënë se më ofendon…miku jotë është edhe miku im…”.

Në lidhje me këtë operacion të SPAK në pranga ranë ish-drejtuesi i Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë arrestimit, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe shoqëruesi i tij Edmond Preka. Mes të arrestuarve po ashtu është edhe Astmer Bilali, i arrestuar në 2018-n si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Në pranga është edhe Ardit Hasanbegaj, ish-shef për Krimet në Berat, i përjashtuar nga radhët e policisë një vit më parë, pas zbulimit të serave me kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit. Po në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim Ervis Martinaj, Behar Bajroviç dhe Eljon Hato, i konsideruar si krahu i djathtë i Martinajt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


68-vjeçari është xhaxhai i Behar dhe Enver Bajrit

Kush është Naim Bajri që u ekzekutua sot në Shkodër

"Mes 15 urdhër-arresteve dhe emri i personazhit të frikshëm që..."

Klodiana Lala nxjerr detajet të reja nga megaoperacioni i SPAK-ut

Hetimet për grupin "Bajri"

Krimet e Rënda hedhin hapin e radhës