Në selinë e Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Bruksel në fillim të korrikut, u zhvillua një debat i ashpër mes Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kreut të PPE, Manfred Weber. Tema në qendër të konfrontimit ishte e ardhmja e politikës mjedisore të BE-së dhe ky konflikt mes dy liderëve gjermanë pasqyroi drejtimin që do të marrë Evropa në skenën ndërkombëtare në zgjedhjet e ardhshme të BE-së. Si një grup i qendrës së djathtë të partive konservatore evropiane, PPE është në rrugën e duhur për të fituar zgjedhjet. Von der Leyen udhëhoqi Komisionin si një teknokrate, ndërsa strategjia e Weber përfshin kontaktin me votuesit që janë të frustruar me migrimin dhe zbatimin e ligjeve të reja të gjelbra. Pavarësisht deklaratave publike që përpiqen të shfaqin harmoni, tensionet midis von der Leyen dhe Weber janë të pamohueshme dhe po bëhen gjithnjë e më të tensionuara me afrimin e zgjedhjeve evropiane në vitin 2024, kur lakmohen të gjitha postet e larta. Rezultati i kësaj lufte për pushtet do të përcaktojë drejtimin ideologjik të Evropës në vitet në vijim.
Përplasje “titanësh”
Ndërsa Von der Leyen ka marrë një pozicion më qendror për çështjet kyçe, lëvizja e Weber-it djathtas ka ndikuar në politikat e BE-së, veçanërisht në migrimin dhe ndryshimet klimatike. Weber kishte ambicie për t’u bërë President i Komisionit, megjithatë, dëshira e tij “u vodh” nga Von der Leyen në vitin 2019. Që atëherë, ai është përpjekur të rrisë numrin e konservatorëve në zgjedhjet parlamentare, duke bashkëpunuar me partitë e krahut të djathtë për të forcuar ndikimin e tyre brenda PPE. Plani i tij për ta zhvendosur PPE-në më tej në të djathtë, megjithatë, hasi në kundërshtim të konsiderueshëm nga drejtues të tjerë të PPE. Përpjekja e fundit e Weber për “t’i hapur punë” Von der Leyen, duke prishur Aktin e Rivendosjes së Natyrës, pjesë e dokumentit kyç të Planit Evropian të Gjelbër, dështoi kur ai u kundërshtua nga 15 anëtarë të Parlamentit Evropian nga grupi i tij partiak. Kjo mosmarrëveshje e hapur rriti tensionet mes dy liderëve. Pavarësisht nga grindjet, si von der Leyen ashtu edhe Weber ruajnë mbështetjen publike për njëri-tjetrin. Mbështetja e tyre publike për njëri-tjetrin përgënjeshtron luftën e tyre të brendshme për kontrollin e konservatorëve të Evropës. E ardhmja e Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit varet nga sigurimi i mbështetjes së PPE-së, duke pasur parasysh që kandidatët duhet të konkurrojnë si “Spitzenkandidat”. Megjithatë, ambiciet presidenciale të Weber mund të kërcënojnë “karrigen” e Von der Leyen nëse ai fiton më shumë mbështetje brenda PPE.
Plani B
Dhe ndërsa von der Leyen mbetet “Plani A”, më i mundshmi për të udhëhequr ekzekutivin e BE-së pas zgjedhjeve të 2024-ës, pasiguria në rritje rreth synimeve të saj i hap rrugë kandidatëve të tjerë, përfshirë Thierry Breton. Ish-ministri dhe ekzekutivi i teknologjisë, i cili ishte zgjedhja e dytë e Francës për komisioner evropian, ka ndikim dhe pushtet në Bruksel. Bretoni ka qenë në qendër të formësimit të politikave kryesore, nga vaksina kundër Covid deri tek rregullat dixhitale. Qëndrimet e tij të forta kundër kompanive të mëdha të teknologjisë dhe roli dixhital i BE-së e kanë sjellë gjithashtu atë në qendër të vëmendjes. Breton konsiderohet një figurë politike e aftë për të punuar në prapaskenë, siç u dëshmua gjatë polemikave të fundit rreth emërimit të ekonomistit amerikan Scott Morton në pozicionin e kryeekonomistit për Divizionin Antitrust të Komisionit. Breton kundërshtoi vendosjen e një amerikani dhe zyra e tij pati rol shumë të rëndësishëm në mbledhjen e kolegëve të komisionerëve për të nënshkruar një letër që kundërshtonte emërimin. Megjithatë, kandidatura e tij e mundshme mund të shqetësojë vendet më të vogla të BE-së, lidhur me ndikimin e Francës në BE, gjë që mund të ulë shanset e tij për tu zgjedhur. Gjithashtu, trashëgimia e Bretonit do të varet nga mbështetja e liderëve evropianë dhe Parlamentit. E sigurt është se Bretoni synon një post të lartë. Edhe nëse nuk bëhet president, ai do të synojë postin e zëvendëspresidentit.