Kompania “X” e Elon Musk, e njohur më parë si Twitter, u gjobit me 350,000 dollarë pasi nuk përmbushi një afat kohor për respektimin e një urdhër kërkimi sekret për llogarinë e Donald Trump, si pjesë e një hetimi të Departamentit të Drejtësisë amerikane ndaj ish-presidentit.
Sipas një urdhri nga një gjykatë amerkane, X-it iu dorëzua urdhri i kërkimit në fillim të këtij viti, si pjesë e hetimit për ndërhyrje të mundshme në transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe sulmit ndaj Kapitolit të SHBA nga mbështetësit e Trump më 6 janar 2021.
Urdhri i kërkimit të Departamentit të Drejtësisë i kërkonte Twitter-it që sot njihet si “X”, të dorëzonte të dhëna në lidhje me llogarinë e Trumpit @realdonaldtrump në Twitter , të cilën ai e përdorte shpesh si medium për të komunikuar drejtpërdrejt me miliona ndjekësit e tij gjatë mandatit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë kompania e miliarderit Musk, nuk arriti të përmbushte kërkesën e ekipit të udhëhequr nga prokurori i posaçëm Jack Smith dhe dorëzoi vetëm një sasi jo të plotë të të dhënave.
Platforma e rrjeteve sociale tha se urdhri për moszbulim cenonte të drejtën e saj për lirinë e fjalës sipas Amendamentit të Parë.