MENU
klinika

Fasoneritë lajmërojnë shkurtime!

Rënia e euro-s po shkakton deri në 8 mln euro humbje çdo muaj

17.08.2023 - 19:57

Rënia e euros mund të sjellë shkurtimin e mijëra vendeve pune në Shqipëri. Ky është paralajmërimi që japin bizneset që operojnë në fasonin e veshjeve dhe këpucëve. Zhvlerësimi i valutës me të cilën lidhin kontratat ka bërë që sektori të regjistrojë deri në 8 milionë euro humbje në muaj. Dhe nga një perspektivë për rritje të punonjësve, tani kjo industri do të detyrohet të bëjë ndryshime drastike.

“Çdo muaj po të mblidhen të gjithë është një situatë dramatike dhe për pak ditë do nxjerrim një dokument me masat që do i propozojmë qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë si për afatshkurtër dhe afatgjatë”, tha Florian Zekja, përfaqësuesi i “Pro Export Albania”.

“Nga janari në një situatë pozitive ku sektori të manifakturës i duheshin rreth 20 mijë punonjës erdhëm në një tjetër situatë ku disa sektorë të kësaj industrie kanë problem dhe kanë filluar t’i adresojnë punëtorët drejt zyrave të punës për asistencë. Ose në shtator mbas pushimeve, ka mundësi që një pjesë të reduktojnë linjat ose të diversifikojnë biznesin”, bëri me dije Zekja.

Pas një përmirësimi në maj, eksportet e “Tekstileve dhe këpucë”, iu rikthyen rënies në 2 muajt e fundit. Sipas INSTAT, eksportet e këtij grupi u tkurrën me 6% në korrik. Sipas përfaqësuesit të “Pro Export Albania”, Florian Zekja, masat e qeverisë nuk kanë rezultuar efektive në përballimin e situatës.

“Ishin dy nisma që do i jepnin oksigjen sektorit por mesa shohim nuk po jep rezultatin e duhur se rimbursimi i TVSH nuk po bëhet për 3 ditë siç u premtua, dhe çështja e tatim fitimit është masë relative se kur del me humbje është e kotë të paguhet”, shtoi ai.

Një vit më parë në këtë periudhë, euro këmbehej për 117.2 lekë, ndërsa sot kuotohet në nivelin e 105 lekëve sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Kjo rënie me mbi 10% është shumë shpesh edhe mbi marzhin e fitimit të këtyre kompanive.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eksperti tregon çfarë do ndoshë me monedhën europiane

Sa shanse ka euro të dalë nga ‘gremina’?