MENU
klinika

Lufta “infekton” edhe botën ortodokse

Kush është patriarku polak që mbron pushtimin e Rusisë

18.08.2023 - 08:30

Në tetor 2018, filloi divorci midis Kishës Ortodokse Ruse dhe Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, kur e para ndërpreu në mënyrë të njëanshme bashkësinë e plotë me të dytën për shkak të synimit për t’i dhënë autoqefalinë Kishës Ortodokse të Kievit. Kjo histori, e lidhur ngushtë me konfliktin në Ukrainë, ka “mbjellë” prej kohësh mosmarrëveshje në botën ortodokse: qëndrimi i Patriarkut Kirill, me bekimin e tij për “operacionin special” të Vladimir Putinit, më pas përfundoi duke hapur një front të dytë lufte, mes dënimeve dhe miratimeve të pushtimit të Ukrainës. Nëse nga Stambolli patriarku Bartolomeu I, ka folur gjithmonë kundër Kirillit përçarës, nga Varshava “papa i Putinit” merr solidaritetin e mbështetësit të tij vendas, Patriarkut Sawa. Majin e kaluar, Mitropoliti i “Varshavës dhe gjithë Polonisë” festoi 25-vjetorin e tij në krye të ortodoksëve polakë, një komunitet prej rreth gjysmë milioni njerëz, në një “liqen katolik” si Polonia.

Lidhja me Rusinë

Arsyet për këtë afërsi mes tyre shpjegohet disi me historinë polake pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe me përvojën personale të Sawa-s, i cili gjithashtu mbante poste publike përkatëse si ajo e ushtrisë ortodokse në ushtrinë polake. Kisha Ortodokse Polake u themelua në vitin 1924 pasi Polonia rifitoi pavarësinë e saj, për t’i dhënë formë dhe përmbajtje besimit të komuniteteve ukrainase dhe bjelloruse në lindje të vendit. Ironia e fatit donte që Mitropoliti i parë ortodoks i Polonisë të ishte një ukrainas, Yurii Yaroshevsky, i emëruar nga Patriarkana e Moskës. Kur filloi të tregonte neverinë e tij ndaj fuqisë dhe ndërhyrjes së tepërt të patriarkanës moskovite, ai u vra nga një murg rus. Në periudhën ndërmjet luftërave, Kishës Ortodokse Polake iu desh t’i mbijetonte vështirësive dhe persekutimeve të shumta: një numër i madh kishash ortodokse u shkatërruan dhe disa u konvertuan në të krishtera në atë udhëkryq midis Polonisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, me Poloninë të tërhequr në orbitën sovjetike, 8 nga 10 famullitë dhe kongregacionet përfunduan nën patriarkanën e Moskës.

Jeta e çuditshme

Teolog dhe pedagog, Sawa, i lindur në 1938, punoi, të paktën që nga viti 1965, për Sluzba Bezpieczenstwa, Policinë e Sigurisë Polake të epokës sovjetike, me emrin e koduar Tw Jurek dhe numrin e regjistrimit 12348. Instituti polak për Kujtimin, ruan ende të gjithë dokumentacionin kundër tij, gjë që nuk lë asnjë dyshim se Sawa ishte në listën e pagave të policisë komuniste, si pothuajse të gjithë drejtuesit e kishës ortodokse polake të pasluftës, brenda së cilës nuk ishte e pazakontë të shihje edhe agjentë të KGB-së të hyjnë me urdhër të drejtpërdrejtë nga Byroja Politike e Moskës. Bashkëpunimi lidhej me punësimin e tij në Kancelarinë Metropolitane: roli i tij ishte të ofronte informacione të përditësuara mbi ndryshimet që ndodhin në Kishën Ortodokse. Janë të shumta edhe denoncimet morale” drejtuar homologëve të tij të besimeve të tjera, në të cilat shpesh përsëriten “dyshimet për homoseksualizëm”. Fjalë pa dyshim të ashpra, për paraardhësit dhe “kolegët” e tij.

Konflikti në Ukrainë

Me shembjen e Murit të Berlinit dhe daljen e trazuar të Polonisë nga orbita e Moskës, falë edhe një Pape katolik polak, figura e Sawa-s përfundoi duke u bërë margjinale, një mburojë e zbehtë e së shkuarës. Konflikti në Ukrainë, e ka rikthyer këtë figurë të çuditshme të një mbështetësi të Kirillit në titujt kryesorë, i cili vazhdon të tregojë nderim ndaj Moskës dhe renditjes së lartë të saj. Aq sa për të nxitur, shkurtin e kaluar, një grup ish-aktivistësh antikomunistë polakë t’i kërkonin Presidentit të Polonisë t’i hiqte Sawas gradat e tij. Letra e shkurtit të kaluar shpërtheu zemërimin e polakëve, pasi Sawa i dërgoi urimet më të mira Kirillit për vitin e katërmbëdhjetë të fronëzimit të tij. Për më tepër, zëri i Sawa rrezikon të “mbytet” edhe më shumë së shpejti nga kryepeshkopi, gjithashtu ortodoks, i Przemysl dhe Gorlice, i cili në përvjetorin e fundit të luftës ftoi besimtarët ortodoksë të luten “për paqen dhe humbjen e Rusisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kirill: Të mbrojmë atdheun e përbashkët"

Tri javë luftime: Patriarku i Rusisë diskutim me Papën