Avokati Spartak Ngjela ka rrëfyer njohjen që ka patur me ish-liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili është shtruar në spital pasi shfaqi problemeve të renda shëndetësore.
Gjatë një interviste për News24, Spartak Ngjela tregon se i ka shpëtuar jetën Fatos Nanos, pasi sipas tij doni ta vrisnin kur ishte në burg në vitin 1997.
Avokati thekson se i ka dërguar makinën e tij për ta shpëtuar, ndërkohë që kishte marrë informacion se do e eliminonin kur ishte në burg.
“Kur u krijua PS nuk pata besim se vinte nga partia e punës. Fatos Nanon e njihja si intelektual, por nuk ia dija forcën politike. Aty doli për herë të parë. I hoqi gjithë liderët dhe e ktheu partinë në socialiste nga Partia e Punës. Unë e kam ndjekur me vëmendje asokohe dhe kishte shumë optimizëm majtas, por më pas e futën në burg. E takova në burg gjatë një hetimit tjetër.
Folëm për gjëra të parëndësishme, ishte në formë dhe bëmë humor. Pastaj erdhi lufta. Kur erdhi lufta e mora me makinë se donin ta vrisnin në vitin 1997. I dhashë makinën, unë u thashë që ta dërgonin në shtëpi. Ishte makinë shteti. I hapa burgjet unë se do vrisnin këtë. Më lajmëruan se do e vrisnin. Hapa burgjet, nuk çava kokën fare, por ky nuk dilte pastaj. E konsideronte arratisje dhe e kishte të saktë. Pas kësaj u kthye deri sa mori revanshin e vetë”, tregoi Ngjela.